Barcelona e varur nga Messi

schedule12:37 - 3 Prill, 2019

schedule 12:37 - 3 Prill, 2019

Barcelona është tepër e varur nga Lionel Messi. Barazimi dramatik në fushën e Villarealit tregoi se kapiteni është vendimtar për katalanasit, duke vendosur edhe një rekord europian.

“Nuk është asnjëherë moment i mirë për të lënë pushim Messin”.

Këto fjalë të trajnerit Ernesto Valverde tingëlluan profetike në përfundim të ndeshjes së çmendur të La Ligës, që Barcelona barazoi 4-4 në fushën e Villarrealit. Padyshim, përballja më e bukur dhe më dramatike e sezonit në Spanjë.

Katalanasit po fitonin 2-0 në pjesën e parë, pa kapitenin në fushë, pasi Valverde kishte vendosur të bënte rotacion. Filip Kutinjo dhe Malkom ishin autorë të golave, në atë që mendohej si fitorja e lehtë e radhës, në rrugën drejt titullit. Shpejt ndodhi çudia, kur Vijarreali shkurtoi diferencën që në 23’, ndërsa pjesa e dytë ishte e shkëlqyer për vendasit.

Ekambi në 50’, Iborra në 52’ dhe Karlos Baka në 80’ bënë që rezultati të shkonte në 4-2.  Kur ishte luajtur një orë lojë, Valverde hodhi në fushë Mesin në vend të Kutinjos, por për ndryshimin u desh kohë.

Goli i katërt i Villarrealit u shënua me Leon në fushë, veçse argjentinasi nuk e kishte thënë ende fjalën e fundit. Kjo ndodhi në minutën e fundit. Messi realizoi nga goditja e dënimit, ashtu siç bëri në fundjavë, duke i dhënë shpresë ekipit.

Përveç kësaj, ai vendosi një rekord në 5 ligat kryesore të Europës, si i vetmi lojtar që ka shënuar të paktën nga 6 goditje dënimi që nga sezoni 2006-2007. Pikërisht në fund fare, ishte radha e Luis Suarezit të barazonte në 4-4.

Barcelona ka tani 8 pikë epërsi ndaj Atletikos, por mënyra sesi shmangu humbjen, me shumë gjasë i ka dhënë moral shumë më të lartë për vazhdimin e sezonit, qoftë në La Liga, në Kupën e Mbretit, por sidomos në Champions. Sa për Mesin, ai ka tani 32 gola në kampionat, dhe 42 në sezon.

“Padyshim që kemi një varësi nga Mesi, – pohoi Valverde pas ndeshjes, – ajo ekziston. Gjithsesi, në pjesën e parë nuk ishim të varur nga Mesi, dhe luajtëm shumë mirë. Kështu duhet të luajmë gjithnjë. Kjo ndeshje na ndihmojë për të kuptuar sesa e vështirë është La Liga. I lumtur për karakterin e skuadrës”.

“Marka”: Futbolli është i pabesueshëm! Nga 0-2 në 4-2 deri në minutën e 89-të, pastaj Barça barazon me Mesin e Suarezin!

“El Mundo Deportivo” ka në kopertinë momentin e barazimit të Suarezit, me komentin: Goli i kampionatit! Një pikë jetësore para vizitës së Atletikos!

“Sport”: E pabesueshme! Barazimi me dy gola në 3 minutat e fundit! Messi e Suarez shpëtuan një ekip me shumë defekte në mbrojtje!/abcnews.al