Atmosfera ishte më shumë sesa festive.
Jo vetëm në Arenën e Madridit, porse në të gjithë Pallatet e Sportit të Spanjës, në ndeshjet e ligës së basketbollit në atë që cilësohet periudha e Krishtlindjeve.
Plot 263 000 spektatorë ishin të pranishëm, me mesataren 7 306 tifozë për çdo ndeshje, ndërsa kulmi I spektaklit u arrit në kryeqytet.
Mbi 11 700 njerëz kishin blerë biletën për “El Klasikon” e radhës mes Realit e Barcelonës.
Katalanasit ia dolën 105-100, në një nga derbit me më shumë pikë në histori.
Skuadra e drejtuar nga trajneri I rikthyer Çavi Paskual, udhëhoqi thuajse gjatë gjithë kohës, duke qenë në epërsi pas çdo periode.
Më I miri ishte Laprovitola, që ironikisht e nisi ndeshjen nga stoli, duke shënuar 19 pikë e duke shërbyer 9 asistë.
Mjaft mirë për Barçën edhe amerikani Panter, po me 19 pikë dhe 6 topa në tabela, Satoranski me 16 dhe Parra me 13 pikë.
Realit nuk I mjaftoi më I miri në fushë, kroati Hezonja që shënoi 27 pikë.
Argjentinasi Kampaso shtoi 15 pikë e 5 asistë, gjigandi Tavarez pati 10 pikë, po aq sa Felis, ndërsa Jul u ndal në kuotën 9 pikë.
Katalanasit ndaluan serinë prej 9 humbjesh radhazi ndaj rivalit të madh, dhe I dhanë fund ecurisë prej 37 fitores njërën pas tjetrës të madrilenëve në fushën e tyre.
Gjithsesi, Reali vazhdon të kryesojë kampionatin me 12 fitore e dy humbje, ndjekur nga Valencia, ndërsa Barcelona është në vendin e katërt aktualisht me 10 fitore e katër humbje.


