Nuk dihet se përse ka dy fytyra. Një Barcelonë kaotike, dhe një makineri vrasëse goli u shfaqën njëkohësisht në të njëjtën ndeshje, ndërsa katalanasit arritën çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, me një fitore madhështore 7-2.
Në “Spotifaj Kamp Nou”, skuadra e madhe blaugrana vuajti për 45 minuta, por pastaj shkatërroi Njukasëllin e fortë, por pa përvojë anglez, për të “prerë biletën” e për të prenotuar një derbi.
Në tetë më të mirat, do të ketë përballë Atletikon e Madridit.
Pjesa e parë ishte me të vërtetë alarmuese për 62 000 spektatorët në tribuna, edhe pse u fitua 3-2. Golave vendas nga Rafinja e Bernal, anglezët iu përgjigjën dy herë, me të njëjtin autor, sulmuesin Elanga.
Për fat, pikërisht në minutën e shtatë shtesë, në prag të pushimit, Lamin Jamal shleu gabimin e bërë më herët në golin e dytë mik, duke realizuar penalltinë.
Pjesa e dytë ishte diçka krejt tjetër.
Barcelona shënoi katër herë madje 3 sapo u mbush një orë lojë.
Fermin Lopez, dy herë Robert Levandovski dhe sërish Rafinja ishin heronjtë.
“El Mundo Deportivo” lumturohet: Festival! Barçelona do të përballet me Atletikon në të katërtat e finaleve pas një goleade epike!
“Festival dhe në çerekfinale, – është edhe titulli I të përditshmes “Sport”, – Goleadë historike. Rafinja e Levandovski firmosin dygolësha”!
Barcelona natyrisht që bëri më shumë, edhe pse nuk e pati të lehtë, ndërsa Spanja do ta ketë një gjysmëfinalist të sigurt në Champions, e duhet të pritet për të parë nëse do të jenë katalanasit apo Atletiko.


