“Nuk kemi arritur ta mbanim topin dhe të shkonim në 2:0 kur Roma nisi të bënte presion në pjesën e dytë. Ne duhet të mendojmë për objektivin tonë primar, i cili është Championsi, i cili është afër të arrihet. Vendi i parë ishte një ëndërr për ne, por tash është bërë më i vështirë. Sidoqoftë, janë edhe pesë ndeshje dhe duhet të provojmë t’i fitojmë të gjitha”, do ta niste kështu deklaratën e tij Amir Rrahmani për “Mix zone”, pas barazimit që skuadra e Napolit mori ndaj Romën në sfidën e javës së 33-të të Seria A.
Një pikë që i largon napolitanët nga titulli kampion pasi tashmë e shikon Milanin kryesues me 4 pikë më shumë, kur kanë mbetur edhe 5 ndeshje deri ne fund të këtij sezoni.
Mbrojtësi i përfaqësueses së kosovës shpjegoi edhe vendosjen e skuadrës së tij në momentin e golit të shënuar nga skuadra e Jose Mourinhos.
“Një aksion i shpejtë ku ishin shumë lojtarë të Romës në sulm. Njëri prej tyre mbeti i lirë në një zonë të fushës dhe arriti ta mbyllte aksionin duke shënuar”, përfundoi Rrahmani, i cili është bërë lojtar mjaft i rëndësishëm i Napolit këtë sezon.
Aktualisht, Napoli gjendet në vendin e tretë në tabelë me 67 pikë, 4 më pak se Milan kryesues. /f.a/abcnews.al