Barazimi në Firence, Pirlo: Eksperimenti dështoi, nuk jam aspak i kënaqur

schedule19:03 - 25 Prill, 2021

schedule 19:03 - 25 Prill, 2021

Juventus nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ditën e sotme në transfertën e sotme, duke humbur kështu një mundësi shumë të mirë për të kaluar në vendin e dytë në renditje. Trajneri i bardhezinjve, Andrea Pirlo, e pranon pas sfidës se eksperimenti i tij nuk funksionoi si dhe nuk është aspak i kënaqur me këtë ecuri të ekipi të tij deri në këtë pikë të sezonit.

 

NDESHJA – “Ishte një pjesë e parë e tmerrshme. Ne duhet të kishim filluar në një mënyrë tjetër sepse ky duel ishte një trampolinë shumë e rëndësishme për ne në garën e Champions League. Ishim shumë të ngadaltë, pozicionimet tona ishin të gjitha të gabuara dhe ne ishim gjithmonë të dytët pas topit”.

RISIA NË FORMACION – “Pas dëmtimit të Danilos dje, ne u rikthyem sërish me tre lojtarë në mbrojtje si dhe me Ramsey e Dybala midis linjave. Nuk funksionoi kështu që ne futëm në fushë Moratën pas pjesës së parë për të ndryshuar ritmin. Pjesa e dytë ishte pak më mirë, por gjithsesi nuk ishim në ditën tonë. Provuam një gjë dhe përfunduam duke bërë diçka krejt tjetër”.

 

RONALDO DHE DYBALA – “A u tundova për ta zëvendësuar Cristianon? Unë nuk mendoj se Ronaldo luajti një ndeshje të dobët. Kishte disa raste dhe në përgjithësi luajti mirë. Ishte ekipi që duhet të kishte sulmuar më shumë hapësirat boshe. Dybala dhe Morata janë dy sulmues shumë të ndryshëm. Alvaro vrapon më shumë, ndërsa Paulo e lidh më shumë lojën”.

EVOLIMI SI TRAJNER – “Është paksa ndryshe sepse pritshmëritë fillestare si për mua ashtu edhe për ekipin ishin të ndryshme. Nuk besoj se kemi punuar ashtu siç dëshironim. Kam mësuar pas çdo ndeshjeje, por nuk jam i lumtur duke patur parasysh pritshmëritë që kishim dhe mendoj se as klubi nuk është”, përfundon Pirlo. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!