Napoli ishte i pakënaqur me barazimin ndaj Milanit në stadiumin “San Siro”. Trajneri Karlo Ançeloti e kritikoi skuadrën për paraqitjen në ndeshjen e Serisë A.
Kohë më parë do të quhej një rezultat vërtet i mirë. Gjithsesi, sot është ndryshe dhe kur Napoli humbet pikë në “San Siro” me Milanin, për Serinë A, del nga fusha i pakënaqur. Kjo tregon qartë sesa larg janë ende milanistët nga lavdia e dikurshme, dhe sesa është ngritur ekipi i Italisë së Jugut.
Karlo Ançeloti pati një rikthim, si gjithnjë, emocional në stadiumin ku fitoi aq shumë si trajner i Milanit, ndërsa kërkoi suksesin në stolin napolitan. Nuk e arriti dot, dhe nuk e fshehu pakënaqësinë, që nuk iu afrua sado pak Juventusit, në atë që mund të quhet gara për titullin kampion.
“Barazim? – tha në formë pyetjeje Ançeloti, – ne nuk shënuam, dhe unë nuk kam ç’të shtoj tjetër. E nisëm ngadalë, por ishim shumë më mirë në pjesën e dytë. Gjithsesi, nuk ishim ata që duhej të ishim, dhe më vjen keq sepse donim që të fitonim. Përjashtimi ndodhi për një fjalë goje, nuk e di a duhej të përjashtohesha. Gjithsesi, jam i lumtur me sjelljen e tifozëve të Milanit me Kulibalin. Kështu duhet të jenë tifozët”.
Gjithsesi, pavarësisht pakënaqësisë së Ançelotit, dhe ndonëse nuk pati gola, sërish sfida ishte mjaft e mirë.
“Dritë në “San Siro”, komenton “Il Corriere dello Sport”, Milan-Napoli përfundon 0-0, por fitues është spektakli”!
“La Gazetta dello Sport”: Milan, barazim dhe Piatek! Në “San Siro” me Napolin është 0-0. Debutim i bukur i polakut!
Sulmuesi i marrë nga Xhenoa nuk ishte titullar, por hyri në pjesën e dytë në vend të Kutrones, duke u paraqitur mirë.
“Luajtëm kundër një skuadre të madhe dhe ishim mirë, – u shpreh Gatuzo, – Në pjesën e dytë, Napoli bëri presion, por duhet të them se merituam barazimin, dhe ishte një pikë e mirë. Nuk e di nëse Piatek e Kutrone mund të luajnë së bashku, sepse duhet të gjejmë ekuilibrat e duhura”.
Me këtë rezultat, Napoli u konfirmua të paktën si skuadra numër 2 në Itali, ndërsa Milani vazhdoi përpjepjet për të zënë një vend për në Champions, sezonin e ardhshëm./abcnews.al

