Barazim me 6 gola ndaj Azerbajxhanit, vajzat kuqezi luajnë ndeshjen e radhës në eliminatore

schedule19:27 - 30 Shtator, 2021

schedule 19:27 - 30 Shtator, 2021

Kombëtarja U17 e femrave vazhdon aventurën e saj në eliminatoret Kampionatit Europian dhe sot ka barazuar ndaj Azerbajxhanit, pas një ndeshje plot me emocione. FSHF në faqen e saj zyrtare tregon më shumë detaje:

Shqipëria U-17 për femra ka barazuar me rezultatin 3-3 ndeshjen e fundit me Azerbajxhanin, sfidë e vlefshme për Kampionatin Europian 2021/2022, e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena” ditën e sotme.

Kombëtarja U-17 e drejtuar nga trajneri Agustin Kola e nisi ndeshjen me këtë formacion: Synaj, Tori, Bilinishta, Maxhalaku (c) (Dida 46’), Marku (Coka 56’), Danaj (Muca 85’), Kodra, Borci, Methoxha, Alijaj, Kallbaqi (Habili 32’).

Ishin vajzat kuqezi ato të cilat kaluan të parat në avantazh, që në minutën e 7-të të takimit, pas një penalltie të akorduar në favor të skuadrës tonë, që u ekzekutua në mënyrë të saktë nga Klaudia Borci.

Skuadra e drejtuar nga Kola bën një lojë të mirë, duke menaxhuar mirë rezultatin, teksa në minutën e 21-të dyfishon rezultatin. Era Methoxha godet nga jashtë zone një top që grushtohet fillimisht nga portierja mike, por Juarda Alijaj gjendet në zonë për ta dërguar topin në rrjetë.

Disa minuta më vonë, kundërshtaret ngushtojnë shifrat, duke e dërguar rezultatin në 1-2. Skuadra mike arrin të gjejë rrjetën edhe dy herë të tjera në harkun kohor të 7 minutave, duke barazuar rezultatin në minutën e 40-të ndërsa në minutat shtesë të kësaj pjese, shënon edhe golin e tretë.

Në fraksionin e dytë të lojës, vajzat kuqezi nisin dukshëm më mirë, me dëshirën për të shënuar gol, teksa Agustin Kola freskon mbrojtjen, duke hedhur në lojë Erisa Didën dhe duke dalë nga loja Rexhina Maxhalaku në minutën e 46-të, ndërsa në minutën e 56-të, për shkak të një përplasjeje me portieren tonë, del e dëmtuar nga loja Donatela Marku dhe futet në lojë Jehona Coka, autorja e golit të tretë në minutën e 86-të të takimit, që barazoi kështu shifrat në 3-3.

Pas dy ndeshjeve të zhvilluara, Shqipëria renditet e treta në grupin B, pjesë e Ligës B, ku ishte shortuar së bashku me Malin e Zi dhe Azerbajxhanin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!