Tonelata me serë, argjile dhe nënprodukte të naftës ne fshatin Belinë të Fierit, prej vitesh kërcënojnë shëndetin e banorëve. Janë mbetje të aktivitetit të Bankers Petroleum.
Zona si kjo të konsideruara të rrezikshme, nga vetë kompania Bankers janë të shumta në fshatrat Belinë dhe Kallm. Nuk janë gropa të mirëfillta ekologjike,ç’ka bën që ndotja nga mbetje e naftës të shpërndahet në tokë e në ajër.
Banorët thonë se në këtë vend Bankers prodhonte serë. Këto mbetje, Bankers i kishte planifikuar për të shtruar rrugët e fshatrave përreth. Por tre vite më parë Inspektoriati i Mjedisit, pas inspektimit të zonës konstatoi se ato ishin të rrezikshme dhe pezulloi përdorimin e tyre.
Për këtë shkelje, Inspektoriati në vitin 2017-të vendosi masë administrative ndaj Bankers duke urdhëruar edhe asgjesimin e mbetjeve.
Por siç shihet nga pamjet ato vazhdojnë të jenë ende aty… Probleme janë shfaqur edhe në fshatin Kallm. Banorët janë të detyruar të jetojnë të rrethuar me pellgje të mbetjeve të naftës.
Këto vatra ndotjeje janë vetëm ç’ka mund të shihet me sy. Gazi në ajër është një tjetër rrezik për shëndetin e komunitetit.
“Të gjithë njerëzit i ke me karbon në gjak, vjen era gaz sa del jashtë”, ka thënë një banor.
“Kur shkoj me pushime jam mirë kur vij këtu bllokohem sërish ndjej këputje trupi”, është shprehur një tjetër qytetare.
Dëmet e shkaktuara nga kompania koncesionare janë edhe më të mëdha në Marinzë, aty ku tokat bujqësore janë shndërruar në jo prodhuese. Fermerët thonë se prej vitesh tentojnë të kultivojnë produkte, por pa rezultat.
Bankers Petroleum ka në përdorim 90 % të burimeve në fushën naftëmbajtëse Patos – Marinëz. Përballë ankesave të banorëve, Bankers Petroleum qëndron indiferente. Madje në 3 vitet e fundit i ka nxjerrë në rrugë punonjësit./abcnews.al