“Banorët e fundit të Çernobilit”

schedule21:48 - 18 Shtator, 2018

schedule 21:48 - 18 Shtator, 2018

Një dokumentar për të kujtuar tragjedinë e Cernobilit. “Banorët e fundit të Cernobilit” sjell dëshmitë e 13 të moshuarve të mbijetuar që kanë zgjedhur të rikthehen në banesat e tyre.

Kanë kaluar tashmë 32 vjet që nga një prej katastrofave më të këqija bërthamore të të gjitha kohërave. Ishte 26 Prill 1986 kur shpërthimi i reaktorit numër katër të qendrës së Çernobilit provokoi një zhurmë që jehoi në të gjithë botën.

Një ngjarje që ndryshoi përgjithmonë këndvështrimin e njerëzve për energjinë bërthamore. Sot një dokumentar ripërshkruan atë incident të tmerrshëm nëpërmjet kujtimeve të atyre që e përjetuan me sytë e tyre dhe në lëkurën e tyre. Dokumentari i titulluar “Banorët e fundit të Cernobil” mban firmën e regjisorit Franko Zambon.

Protagonistët e tij janë 13 të moshuar, banorë të zonës, që u rikthyen në banesat e tyre pas evakuimit si pasojë e tragjedisë. Tregimet e tyre për mbijetesën e përditshme alternohen me peizazhe të mjerueshme të vendeve të shkatërruara në një zonë prej më shumë se 470 mijë hektarësh, rreth e përqark vendit të tragjedisë.

Brenda kësaj zone ende sot është e ndaluar kryerja e çdo aktiviteti civil apo tregtar si pasojë e rreziqeve që lidhen me radioaktivitetin e pranishëm.

Ndërkohë numri i viktimave mbetet ende i pallogaritshëm, pasi përveç atyre që humbën jetën në momentin e shpërthimit janë të panumërt rastet e vdekjeve që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me atë që ndodhi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!