Banorët e fshatit Çidhën që jetojnë në zonën veriperëndimore të Peshkopisë kanë protestuar pasi së shpejti do të mbeten pa një pikë ujë. Është e trishtë kur sheh pamjet se si lumi Seta po thahet dhe nga devijimi i ujit të tij janë shembur pjesë të kanionit.
Për pasojë një rezervuar peshqish është dëmtuar totalisht. Në shtratin e këtij lumi prej disa vitesh ka nisur ndërtimi i 4 HEC-eve. Heci i fundit që përfundoi ndërtimin pak kohë më parë ka thelluar problemet.
Kanioni i Setës si pjesë e Parkut natyror kombëtar të Lurës klasifikohet në shkallën e parë të mbrojtjes, po kështu dhe shpella e burimi i Saponikës. “Ky është një krim i pastër ekologjik, mjedisor, por është edhe manipulim dhe korrupsion i thellë i monumenteve të natyrës”, thotë një banor. Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Adriana Peti nga ana tjetër këmbëngul që zona e mbrojtur nuk preket nga HEC-i dhe shmang argumentat e banorëve.
“Këto difroçentrale nuk i prekin monumentet e natyrës. Monumentet siç ua kemi dhënë edhe zotërinjve janë në skedat ekologjike”, shprehet ajo. Në këtë zonë ka shkuar dhe eksperti i mjedisit Sazan Guri. Ai tregon se harta satelitore është manipuluar dhe se është nxjerrë qëllimisht nga kufiri i zonës së mbrojtur shpella dhe burimin i Saponikës.
Guri ka vendos që këtë çështje ta ndjekë në gjykatat ndërkombëtare. “Po të them ty kryeministër, kryetar i Kuvendit kushdo qoftë. Janë 5 mijë banorë që jetojnë, që kanë lidhur jetën , me këtë ujë të pijshëm” , shprehet Sazan Guri. Banorët që rrezikojnë të mos kenë më asnjë pikë ujë nga devijimi që I është bërë burimeve të lumit nga sipërmarrësit e Hecit kanë vendosur ta pengojën këtë investim me të gjitha mënyrat./abcnews.al