Fshati Shëmri e Kurbinit ka marrë emrin nga kisha 600 vjeçare e Shën Marisë. Banorët e parë kanë mbërritur në periudhën e Skënderbeut. Ata që jetojnë në ditët e sotme i përkasin besimit mysliman dhe e ruajnë me fanatizëm këtë vend të shenjtë. Edhe pse është shpallur monument kulture i kategorisë së parë askush nuk është kujtuar ta rimëkëmbë.
“U bënë tre vite që bëjnë gërmime në të por deri më tani asgjë nuk kanë bërë, vijnë këtu dhe besimtarë myslimanë nga Kruja e Thumana”, është shprehur një banor.
Po jetesa e banorëve është e vështirë për shkak të mungesës së investimeve dhe shërbimeve. Kjo rrugë e shkatërruar gjithnjë e më shumë po largon banorët e fshati Shëmri me zonat urbane. Ata thonë se janë të izoluar vetëm për një investim prej 7 km rrugë nga fshati drejt qendrës së qytetit të Mamurrasit.
“ Ka 30 vjet kështu është rruga s’ka vënë njeri dorë. Mjeti çdo javë e çoj në servis”, shprehet një qytetar.
Një tjetër banor thekson se që kur hyri demokracia s’kemi rrugë, ska vënë dorë kërkush. Pa rrugë jemi të vdekur!
“Rruga është copë copë. E bën fshati vetë dhe ja ra shiu dhe u zbuluan gropat”, shprehet një tjetër.
Ky fshat me një natyrë bujare po braktiset dhe nga banorët për shkak të varfërisë, izolimit nga rruga, mungesës së ujit të pijshëm dhe shërbimeve mjekësore.
“S’kemi një pikë ujë. Jam gjysëm i paralizuar. Kam marrë Tiranë urgjencën që të më vinte infermieria të më bënte gjilpërën. Një infermierë që kemi e kemi në Mamurras. S’kemi as infermier as ambulancë”, tha një nga banorët e fshatit.
Këtë vit edhe shkolla është mbyllur. Prindërit po kalojnë peripeci pasi të vegjlit duhet të shkojnë të ndjekin mësimet në Mamurras dhe nuk ju sigurohet as transport.
“Çoj fëmijën me motor në shkollë në Mamurras se s’ka furgon, në Shëmri shkolla është mbyllur. Le gocën dhe më pas çoj çunin në gjimnaz”, ka thënë ai.
Të mbjellat dhe bagëtitë që kanë më shumë i konsumojnë vetë pasi nuk kanë treg ku ti shesin.
Në kushtet e mjerimit dhe mungesës shumë-vjecare të investimeve banorët janë zhgënjyer nga pushtetarët ndaj thonë se nuk do marrin pjesë në votimet e ardhshme.
Shëmria është fshat që ndodhet në vargmalet e Skënderbeut. Natyra e ka bekuar por pushtetarët e kanë lënë në harresë. /abcnews.al