Banorët e “5 Majit” bëjnë kallëzim në SPAK: Nuk do të tërhiqemi

schedule11:17 - 11 Shkurt, 2022

schedule 11:17 - 11 Shkurt, 2022

Banorët e lagjes ‘5 Maji’ kanë depozituar në SPAK një kallëzim penal pasi kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre. Prej disa ditësh ato po bëjnë rezistencë dhe pavarësisht se kanë pasur edhe një takim me kryeministrin Edi Rama ende nuk janë të bindur për një zgjidhje. Banesat e këtyre banorëve preken nga projekti për rindërtimin pas tërmetit si dhe rikualifikimit urban.

Banorët kanë protestuar vazhdimisht para Kuvendit ndërsa kërkojnë garanci e kontrata për marrjen e shtëpive të reja ashtu siç është deklaruar nga autoritetet.

Ato shprehen se nuk kanë firmosur asnjë kontratë me bashkinë, dhe e cilësojnë atë si të njëanshme dhe jo transparente. Përmes avokates Adriana Kalaja, banorët kërkuan që SPAK të bëjë sekuestron preventive dhe të ndalë aksionin për shembjen e banesave deri në sqarimin e planit.

Në një dalje për mediat Kalaja tha se nuk ka një aktmarrëveshje mes banorëve, dhe se ajo që iu është dhënë atyre është diskriminuese.

“Sipas nesh e gjitha nisi me VKM 78 të janarit të 2020 që ka në fokusin e saj rindërtimin. Aktmarrëveshja që i është drejtua banorëve është diskriminuese, e pabazuar në ligj. Ajo nuk merr në konsideratë interesat e banorëve dhe nuk ka afat se kur do të japë efektet. Ligji e përcakton qartazi se duhet të ketë një vendim prishje. Vendim prishje që e kemi konsideruar shkelje flagrante. Kemi kallëzuar dhe kryetarin e kadastrës, pasi ka kthyer përgjigje negative në shpërdorim të detyrës, se banorët nuk mund të legalizohen. Të gjithë komponentët që kemi parashtruar para SPAK, besoj do të hetohen. Kemi kërkuar marrjen e masës së sekuestros preventive mbi projektin. Projekti është i Boerit, që nuk ka lidhje me projektin e rindërtimit për shkak të pasojave të tërmetit. Ne i Kemi kërkuar SPAK, vënien e sekuestrosh preventive mbi këtë projekt dhe pezullimin e aksionit të prishjes deri në zbardhjen e çështjes.”, tha Kalaja. /abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!