Banka Shqiptare nuk ndryshon politikën monetare, Sejko: Lufta ngadalëson rritjen ekonomike

schedule16:30 - 4 Maj, 2022

schedule 16:30 - 4 Maj, 2022

Duke marrë shkas nga situata me të cilën po përballet vendi ynë për shkak të rritjes së çmimeve, si pasojë e luftës në Ukrainë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko në një konferencë për mediat ka bërë me dije situatën ekonomike ne vend, duke theksuar se Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur të mos ndryshojë qëndrimin për politikën monetare.

Si pasojë e luftës në Ukrainë Sejko tha se rritja ekonomike do të jetë më e ngadalshme se parashikimi ndërsa që çmimet do vazhdojnë të jenë të larta.

Fjala e Sejkos:

Sot, në datën 4 maj 2022, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare.

Ekonomia botërore dhe ajo shqiptare vijojnë të jenë subjekt i goditjes së shkaktuar nga konflikti në Ukrainë. Kjo goditje ka rritur çmimet e ushqimeve, të lëndëve të para dhe të atyre energjetike, ka shtuar pasiguritë në agjentët ekonomikë, dhe ka filluar të pasqyrohet në kushte më të shtrënguara financimi. Si pasojë e këtij kompleksi faktorësh, inflacioni ka pësuar një rritje të ndjeshme, ndërsa rritja ekonomike ka shfaqur shenja ngadalësimi.

Informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se goditjet e ofertës do të jenë më të forta dhe më të qëndrueshme në kohë se vlerësimet tona të mëparshme. Për rrjedhojë, inflacioni pritet të qëndrojë më gjatë mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë, ndërsa ritmi i rritjes ekonomike – ndonëse pozitiv – do të jetë më i ulët se pritjet tona të fillimvitit.

Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës vëren se ekonomia shqiptare do të ruajë stabilitetin e saj monetar dhe financiar. Ky parashikim faktorizon pritjet tona për mos përshkallëzimin e konfliktit, për reduktimin e presioneve në tregjet botërore gjatë vitit të ardhshëm dhe për vijimin e rritjes ekonomike në partnerët tanë tregtarë. Gjithashtu, ai kërkon normalizimin gradual të politikës monetare në horizontin afatmesëm.

Duke gjykuar mbi sa më sipër, në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mos ndryshojë qëndrimin e politikës monetare.

[ Në vijim, më lejoni të sqaroj më në detaje konkluzionet kryesore të Raportit Tremujor, pritjet tona për të ardhmen, si dhe arsyet që motivuan vendimin e sotëm.

Informacioni i ri i marrë në analizë tregoi se presionet inflacioniste në tregjet botërore rezultuan më të forta dhe më të qëndrueshme sesa pritjet tona në fillim të vitit. Konflikti në Ukrainë dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë sollën ndërprerje të reja në zinxhirët globalë të prodhimit e të shpërndarjes dhe shtuan pasiguritë për të ardhmen. Ato u pasuan nga një rritje e fortë e çmimeve në tregjet botërore dhe lëvizje agresive të bankave qendrore në drejtim të shtrëngimit të qëndrimit të politikës monetare.

Inflacioni në vend u rrit gjatë tremujorit të parë të vitit, duke shënuar nivelin mesatar prej 4.4%. Rritja e tij ishte veçanërisht e shpejtë në muajin mars, kur inflacioni kërceu në 5.7%. Në pjesën më të madhe, rritja e inflacionit u shkaktua nga goditjet e ofertës, të ardhura nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës. Megjithatë, paralelisht me to, trendi rritës i inflacionit ka pasqyruar edhe rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike gjatë vitit të shkuar, rritjen e punësimit dhe të pagave, si dhe tendencën në rritje të pritjeve për inflacionin.

Zgjerimi i kërkesës agregate dhe përmirësimi i tregut të punës kanë gjeneruar presione të shtuara inflacioniste nga ekonomia vendase. Sipas Institutit të Statistikave, prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 8.5% gjatë vitit 2021, duke tejkaluar nivelet e regjistruara para tërmetit dhe pandemisë. Rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i konsumit, i investimeve dhe i eksporteve.

Rritja e kërkesës për mallra e shërbime ka nxitur rritjen e punësimit, të pagave dhe të kostove të prodhimit. Rritja e punësimit solli rënien në 11.4% të normës së papunësisë në fund të vitit 2021 dhe u pasqyrua në një rritje të shpejtë të pagave në dy tremujorët e fundit të vitit të shkuar. Përmirësimi i tregut të punës do të ndihmojë në amortizimin e një pjese të goditjes që vjen nga çmimet e larta, por përkthehet dhe në presione më të qëndrueshme në kohë mbi inflacionin.

Në terma makroekonomikë, zgjerimi i kërkesës agregate është mbështetur nga lehtësimi i masave kufizuese për kontrollin e pandemisë, përmirësimi i besimit, rritja e kërkesës së huaj, si dhe nga politikat stimuluese monetare e fiskale.

Në veçanti, stimuli i fortë monetar i dy viteve të fundit ka mbështetur rimëkëmbjen e ekonomisë nga goditjet e tërmetit dhe pandemisë. Politika monetare stimuluese ka gjeneruar një ambient financiar të qetë, të karakterizuar nga likuiditet i bollshëm, kosto të ulëta kreditimi dhe kurs i qëndrueshëm këmbimi. Krahas këtyre faktorëve, shëndeti i mirë i sektorit bankar dhe kërkesa e lartë për fonde, kanë mbështetur rritjen e qëndrueshme të kredisë. Në muajin mars, portofoli i kredisë për sektorin privat u rrit me 12.8%, duke plotësuar nevojat e familjeve dhe të bizneseve për konsum, investime dhe kapital qarkullues.

Rritja e normës bazë të interesit gjatë muajit mars ka pasur një transmetim të shpejtë në segmentet afatshkurtra të tregut monetar. Ajo ka favorizuar një ankorim më të mirë të pritjeve për inflacionin, si dhe ka ndihmuar stabilizimin e presioneve mbi kursin e këmbimit. Megjithatë, efekti i saj në çmimet e depozitave e të kredive bankare nuk është shfaqur ende i plotë.

***

Ekspozimi ynë direkt ndaj vendeve të përfshira në konflikt është relativisht i ulët. Megjithatë, lufta në Ukrainë ka zbehur perspektivën e rritjes globale dhe veçanërisht atë të ekonomive evropiane, si dhe ka shtuar presionet inflacioniste.

Përditësimi i parashikimeve tona të skenarit bazë sugjeron se inflacioni në vend do të mbetet në nivele relativisht të larta gjatë periudhës në vijim. Çmimet e larta në tregjet botërore, kërkesa e rritur agregate, si dhe dinamikat e tregjeve të punës, pritet ta mbajnë inflacionin pranë niveleve aktuale gjatë vitit 2022. Më tej, ai pritet të vijë në rënie graduale gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.

Përkundrejt kësaj ecurie, ekonomia shqiptare pritet të vijojë rritjen gjatë horizontit afatmesëm. Rritja ekonomike do të vijojë të mbështetet nga kushtet ende të favorshme të financimit, nga bilancet e shëndosha financiare të sektorit real dhe financiar, si dhe nga vijimi i rritjes së eksporteve. Megjithatë, ritmi i rritjes pritet të jetë më i ngadaltë krahasuar me parashikimet e fillimvitit.

Balanca e rreziqeve rreth këtyre parashikimeve mbetet e zhvendosur për lart në rastin e inflacionit dhe për poshtë në rastin e rritjes ekonomike. Ajo pasqyron pasiguritë e rritura që ka shkaktuar konflikti në Ukrainë në tregjet e produkteve, të faktorëve të prodhimit dhe ato financiare.

Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm dhe për mbështetjen e rimëkëmbjes ekonomike.

Për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

  • të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.0%;
  • të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe të kredive njëditore, respektivisht në nivelin 0.1% dhe 1.9%.

Në gjykimin e Këshillit, niveli aktual i stimulit monetar ofron balancën e duhur midis rrezikut të përshpejtimit të inflacionit dhe rrezikut të ngadalësimit të rritjes ekonomike.

Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes dinamikën e inflacionit dhe mbetet i gatshëm të ndërhyjë në kohën dhe me forcën e duhur për të garantuar respektimin e objektivit të tij të stabilitetit të çmimeve.

Në gjykimin e Këshillit, respektimi i këtij objektivi do të kërkojë normalizimin e qëndrimit të politikës monetare në afatin e mesëm. Në përputhje me parashikimet e skenarit bazë, ky normalizim do të marrë formën e një procesi gradual gjatë dy viteve të ardhshme. Megjithatë, nisur nga nivelet tejet të ulëta të normave të interesit në vend, politika monetare do të vijojë të mbetet në pozita stimuluese gjatë gjithë kësaj periudhe. Në të kundërt, materializimi i skenarëve të rrezikut mund të shkaktojë devijime nga ky skenar.

Në çdo rast, qëndrimi i politikës monetare do të udhëhiqet nga informacioni i ri dhe nevoja për respektimin e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!