Banka Qendrore e Maqedonisë së Veriut rriti normën bazë të interesit në 4.25%

schedule18:57 - 17 Nëntor, 2022

schedule 18:57 - 17 Nëntor, 2022

Banka Qendrore e Maqedonisë së Veriut ka rritur dje normën bazë të interesit me 0.75%, duke e çuar atë në 4.25%.

Siç thuhet në njoftimin e Bankës Qendrore, kjo rritje e normës bazë të interesit vjen si pasojë e presioneve inflacioniste të krijuara së fundmi si pasojë e rritjes së çmimeve, kryesisht të produkteve ushqimore dhe energjetike të importuara.

Në tetor, inflacioni në Maqedoninë e Veriut shkoi në 19.8% , ndërsa në dhjetëmujorin janar – tetor 2022, norma vjetore e inflacionit qëndroi në 13.2%, një normë shumë më e lartë krahasuar me parashikimet fillestare.

Kjo rritje e normës bazë të interesit të Bankës Qendrore pritet të sjellë rritje të normave të interesit edhe të bankave tregtare të vendit .

Kohët e fundit, Banka Botërore paralajmëroi për mundësinë që ekonomia e Maqedonisë së Veriut mund të hyjë në zonën e stagflacionit, që do të thotë rritje e ngadaltë e ekonomisë e kombinuar me norma të larta inflacioni./abcnews.al/