Shqetësimet po shtohen në Bangladesh për përhapjen e sëmundjeve për shkak të ujit të ndotur, si pasojë e përmbytjeve gjatë ditëve të fundit. Numri i të vdekurve nga përmbytjet deri më tani ka shkuar në 71, me miliona njerëz të bllokuar në zonat e prekura.
Përmbytjet, gjatë dy javëve të fundit, kanë shkaktuar kërdi në vend, duke shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe duke prekur rreth pesë milionë njerëz. Më shumë se 580,000 familje kanë nevojë urgjente për ushqim, ujë të pijshëm, ilaçe dhe veshje.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Shëndetësore, pothuajse 5 mijë persona janë shtruar në spital në 24 orët e fundit me diarre, infeksion të lëkurës dhe pickime nga gjarprinjtë.
Dëmi në ekonomi është gjithashtu i madh, me një dëm prej 282 milionë dollarë dhe duke prekur më shumë se 1.4 milionë fermerë, sipas një vlerësimi paraprak nga Departamenti i Bujqësisë.
Një analizë e vitit 2015 nga Banka Botërore vlerësoi se 3.5 milionë njerëz në vendin e Azisë Jugore janë në rrezik të përmbytjeve të lumenjve çdo vit, i cili është rritur vitet e fundit për shkak të ndryshimeve klimatike.
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka njoftuar se dy milionë fëmijë janë në rrezik nga përmbytjet më të këqija të vendit në 30 vitet e fundit.
/abcnews.al