Fotografia e Vitel’homme Innocent në listën e të arratisurve të FBI-së e tregon një njeri të çmendur me sytë e hapur dhe të egër dhe dhëmbët e zhveshur. Është e pritshme të ketë fotografi të tillë lideri i bandës i akuzuar për destabilizim të kombit, i cili pretendon se është nën mbrojtje hyjnore dhe koka e të cilit vlen 2 milionë dollarë për rrëmbime të supozuara.
Personalisht, ai jep një imazh tjetër, të paktën ndaj mysafirëve. I fuqishëm, po, i rrethuar nga njerëz të armatosur, që i presin urdhrat e tij – por gjithashtu mjaft i kujdesshëm, me frigorifer të mbushur me sandviçë për vizitorë dhe me tendencë të jetë filozofik në bisedë.
Grupi i tij i armatosur Kraze Baryé është në mesin e grupeve që kanë zhytur Haitin në një krizë të paligjshmërisë. Ai është zëri influencues në mesin e udhëheqësve të bandave të vendit dhe ai që beson se paqja duhet të rikthehet. Por në çfarë kushtesh?
Qoshja e distriktit Tabarre të kryeqytetit Port-au-Prince, dikur plot gjallëri, me vila rozë dhe me pamje të mrekullueshme të qytetit tashmë është kthyer në një qytet fantazmë. E vetmja shenjë jete nëpër rrugët e distriktit janë rojat e armatosura dhe me maska. Ata sillen me motorë dhe automjete nëpër rrugë, me flamuj kuq e kaltër të Haitit.
Innocenti ishte në njërën nga këto automjete. Kur kishte zbritur aty ishte i paarmatosur. Kishte të veshur një kostum dhe shapka, me zinxhirë të arit dhe një kryq të varur në qafën e tij. Brenda shtëpisë së tij, me, kristale nëpër vitrina, plot lule plastike si dekor dhe divane kadifeje ngjyrë ari. Nëpër divane, arushë pelushi.
“Haiti që kemi pasur, Haiti, perla e ishujve Antilles ku jemi rritur, mund të rikthehet siç ka qenë, vendi më i bukur”, ka thënë Innocenti, duke folur butësisht në gjuhën kreole të Haitit. “Një ditë, dikush do të mund të ulej në Champ de Mars dhe ta shijojë një akullore”.
Sot, parku i kryeqytetit Champ de Mars është zonë lufte mes bandave dhe policisë. Pas vitesh trazirash politike, neglizhim institucional dhe një seri të fatkeqësive brutale natyrore, muajin e kaluar pasuria e Haitit ishte shtyrë në pikën më të ulët nga një valë e dhunës nga bandat, që në mënyrë efektive ka ndaluar aktivitetin e Port-au-Prince.
Porti dhe aeroporti kryesor i qytetit nuk punojnë më. Ministritë qeveritare janë mbushur me refugjatë që kërkojnë të largohen. Trupa shtrihen në mesin e mbeturinave të pambledhura dhe lagjet akoma të lira nga kontrolli i bandave kanë pësuar rritje të frikës nga vigjilentët, të cilët vrasin dhe djegin të huajt e dyshimtë.
Shenjat e mosfunksionimit të qytetit ishin të dukshme brenda bastionit Kraze Baryé. Brenda shtëpisë së Innocentit, ajri ishte akoma i nxehtë, me luftëtarët e tij që ishin duke punuar ta shtinin gjeneratorin në funksion për ta ndezur kondicionerin e ajrit ose ventilatorin. Askush nuk ishte përpjekur ta largonte sedanin e shkatërruar që ndodhej afër pishinës, me xhamat e thyer dhe rrotat e rrafshuara.
Por njeriu në divanin e arit ka preferuar të fliste për të ardhmen e ndritshme – për të cilën bandat e Haitit janë të gatshme të luftojnë.
Biseda me një nga liderët e bandave të Haitit është e diskutueshme në vend, duke ditur për vuajtjet dhe terrorin që e kanë sjellë grupet e armatosura. Zjarrvënia dhe përdhunimi kolektiv janë taktikat e preferuara të bandave për t’i nënshtruar civilët, thonë ekspertët, dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara ka regjistruar vrasjet e rreth 1.660 njerëzve nga bandat dhe kidnapimet e së paku 438 të tjerëve – duke përfshirë 21 fëmijë –në vetëm 90 ditët e para të vitit.
Innocenti është vet nën sanksionet e OKB-së për kryerjen e abuzimeve të të drejtave të njeriut nga Kraze Baryé dhe është i kërkuar nga Policia Kombëtare e Haitit për kidnapime të shumta, vrasje, përdhunime, vjedhje të automjeteve dhe shkatërrim të pronës. Grupi i tij është i njohur për shënjestrimin e drejtpërdrejtë të Policisë Kombëtare të Haitit dhe është duke u përpjekur të marrë nën kontroll një nga lagjet më të pasura të Port-au-Prince.
Në intervistën e tij të parë nga shtypi i huaj, Innocenti nuk i ka mohuar vrasjet, zjarrvëniet, përdhunimet ose rrëmbimet e kryera nga bandat aleate të qytetit dhe ka thënë se i ka bërë disa gabime. Por ai e ka cilësuar dhunën vdekjeprurëse të muajve të fundit si dëm kolateral. Vdekjet, si aksidentale ashtu edhe jashtëgjyqësore, janë shkaktuar gjithashtu edhe nga policia, ka thënë ai, duke supozuar se ata refuzojnë ta vazhdojnë këtë dialog.
Pendimi i tij i vetëm, ka thënë ai, është se është përfshirë me politikën.
Bandat dhe oligarkët
Innocenti, 37-vjeçar, e ka portretizuar aleancën e gjerë të bandave që sulmojnë institucionet e Haitit si projekt progresiv.
“Ëndrra jonë është që t’i largojmë oligarkët që e parandalojnë vendin të zhvillohet” ka thënë ai për koalicionin e bandave “Viv Ansanm” ose “Le të jetojmë së bashku”.
Në shkurt, Viv Ansanmi ka nisur një sulm të paprecedent ndaj shtetit haitian, duke sulmuar stacionet policore, burgjet, ndërtesat qeveritare, spitalet, rezidencën qeveritare, bibliotekën kombëtare, anijet ushtarake dhe kompaninë publike të elektricitetit. Sulmet e tyre kanë përkuar me vizitën e ish-kryeministrit Ariel Henry në Nairobi, për bisedimet rreth forcimit të Policisë Kombëtare të Haitit nga forcat shumëkombëshe të sigurisë, që drejtohet nga Kenia.
Në fund Henry është dorëhequr, sipas kërkesave të Viv Ansanmit – por Innocenti ka thënë se bandat tani janë kundër këshillit qeverisës të krijuar për ta zëvendësuar atë.
Zgjidhja e Innocentit: “Ulu dhe dëgjoje Viv Ansanmin”. Pastaj ai ka sugjeruar se “do të ketë zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur”.
Ai ka kritikuar këshillin qeverisës si të njëjtë me të mëparshmet dhe thotë se është koha që elita e vjetër politike të largohet – pikëpamje e njëjtë me shumicën në Haiti. Por për një kohë të gjatë, bandat kanë pasur marrëdhënie me udhëheqësit e vendit, që i kanë përdorur grupet e armatosura për t’u bërë presion rivalëve përmes kidnapimeve dhe sulmeve të tjera.
Kjo marrëdhënie vazhdon edhe sot – edhe pse bandat kanë filluar të punojnë në mënyrë të pavarur.
“Po, kam një grup të armatosur. Unë i udhëheq”, ka thënë Innocenti, kur u pyet për përfshirjen në kidnapime. “Por kur mendohesh mirë, a do të kishin ide kë të kidnapojnë dhe kë jo? Aspak”.
“Në fakt janë njerëzit e njëjtë që janë të lidhur me CARICOM – organizatë rajonale – që përfaqësojnë vendin. Nëse vendos t’i bllokosh, ata të thërrasin dhe thonë: ‘Kam një punë… Zgjidheni për ne’. Dhe më vonë dëgjon për kidnapimet. Dhe për marrjet peng”, thotë ai.
Zyrtarët e korruptuar i furnizojnë bandat me armë dhe municione, sipas Innocentit.
Korrupsioni që ai ka përshkruar nuk është sekret. Për momentin Haiti renditet i 172-i nga 180 vende në Indeksin Botëror të Perceptimit të Korrupsionit. Gjatë viteve të fundit, sanksionet nga Kanadaja dhe SHBA-ja e kanë akuzuar ish-kryeministrin dhe presidentin e Haitit për korrupsion dhe financim të bandave të vendit, në mesin e krimeve të tjera.
Innocenti ka thënë se i kujtohen fermerët në Tabarrë gjatë rinisë së tij në vitet ’80 dhe ’90. “Normalisht, ne ishim në gjendje të korrnim atëherë”. Sot ai e fajëson varësinë e Haitit në ushqimet e importuara, si shembull se si vendi është menaxhuar keq nga klasa e lartë, duke i lënë njerëzit e thjeshtë pa mundësi ekonomike.
Para se të kapte armët, bizneset e tij legjitime, si një biznes ndërtimi, hotel dhe ndërmarrje e makinave me qira, ishin shkatërruar nga interesat e fuqishme të biznesit në zonë.
“Përse të sulmosh njerëz të pafajshëm?”
Marie-Lucie Bonhomme Opont, 55-vjeçare, gazetare e njohur e cila ka jetuar në Tabarre, ka një pikëpamje tjetër sa i përket transformimit të lagjes në vendin e shkretë që është sot.
Ajo ishte grabitur nga anëtarët e Kraze Baryés qershorin e kaluar, të cilët e kanë dërguar të takohej me vetë Innocentin.
“Ishte mesi i natës. Isha duke fjetur, ku papritmas dëgjova zhurma poshtë. Rreth 30 burra të armatosur u futën në shtëpinë time dhe filluan të plaçkitin gjithçka, edhe ushqimin nga kuzhina”.
Plaçkitësit kanë kërkuar para dhe pastaj, të pakënaqur, e kanë marrë me vete. Sipas Opontit, ata kishin vozitur për rreth 45 minuta.
“Isha shumë e frikësuar. E tronditur që më ndodhi në shtëpinë time. E di se ata janë përdhunues, kanë kryer krime të tmerrshme”, ka thënë ajo. Ata pastaj kishin ndaluar dhe Innocenti ishte futur në makinë dhe e ka pyetur nëse e njeh zërin e tij. “Normalisht që e njihja”, ka thënë ajo. “Ai ka dhënë konferenca shtypi dhe ishte aktiv në mediat sociale”.
“Ai gjithashtu e ka ditur kush jam”, ka thënë ajo. “E gjithë lagjja e di se unë jetoj aty. Por arsyeja e rrëmbimit tim është e panjohur”. Atë e kishin liruar mëngjesin tjetër.
Burri i saj, i kidnapuar një javë më vonë, nuk ishte trajtuar kaq mirë. E kishin liruar vetëm pasi kanë marrë një shumë të madhe të parave nga familja.
Ata janë larguar nga Tabarre menjëherë. “Në Haiti këtë e quajmë territoire perdue – territor të humbur”, ka thënë ajo për lagjen e saj të vjetër.
“Është zonë e kuqe. Disa ditë pas kidnapimit të burrit tim, anëtarët e bandës u vendosën në shtëpinë afër dhe qëllonin me armë automjetet që kalonin”.
“Përse sulmon njerëzit e zakonshëm nëse jeni duke u përpjekur t’i mbështesni ata?” ka pyetur ajo. “E tërë lagjja është duke u terrorizuar nga banditët e armatosur. Si është e mundur që ata punojnë për të mirën e vendit nëse në të njëjtën kohë kryejnë rrëmbime dhe kur shumë gra janë viktima të përdhunimeve brutale?”
‘Gjahtar dhe mbrojtës’
Disa nga bashkëpunëtorët e Innocentit janë shndërruar në personalitete nëpër mediat e shtypit dhe sociale. Ish-oficeri i policisë Jimmy Chérizier, i njohur si Barbeque, ia mban vetes si lloj Robin Hoodi. Izo, i bandës “Five Second”, është gjithashtu muzikant, që shpërndan video muzikore online. Dhe Lanmo Sanjou, lideri i 400 Mawozo (400 idiotët), është fotografuar kohëve të fundit duke pirë duhan me një influencer.
Edhe pse janë aleatë, që ndonjëherë takohen me konferencë me video, aleanca Viv Ansanm nuk do të thotë doemos shoqëri.
Kufiri i territorit të Innocentit është një shtrat lumi. Ana tjetër e shtratit është territori i 400 Mawozos, i cili është supozuar se ka bashkëpunuar me Kraze Baryén në kidnapime dhe gjithashtu është përpjekur ta vrasë Innocentin për shkak të mosmarrëveshjeve për tokën, sipas ekspertëve të sigurisë së vendit.
Në pjesën tjetër të lagjes së tij, Innocenti njihet për gatishmërinë e tij për ta treguar udhëheqjen mbi popullsinë lokale – qëndrim i ngjashëm si roli i “gjahtarit dhe mbrojtësit”, të cilin e përshkruajnë ekspertët e OKB-së për gangsterët e Haitit, që funksionojnë si autoritete lokale, ndërsa gjithashtu zhvatin para nga bizneset lokale.
Kraze Baryé punëson rreth 100 burra dhe gra, sipas togerit dhe kushëririt të Innocentit, Dezod Augustin. Anëtarët e bandës mbajnë të veshur bluza me arushë pelushi, ku shkruan “Njësia e Mbrojtjes së Zonës Tabarre”.
Rrugëve të lagjes, Innocenti ka ndaluar për t’i bërë masazh këmbës së lënduar të një gruaje plakë dhe ka treguar për dy burrat e verbër që i ka marrë nën mbrojtje, duke e fajësuar shtetin që ka dështuar të kujdeset për ta.
Ndërsa ka afruar nata, janë dëgjuar shishe të birrës dhe alkoolit në mesin e burrave. Në një kioskë ushqimi në anë të rrugës, Innocenti ka porositur derr dhe banane të fërguara. Punonjësi, burrë i moshës së mesme, nuk ka treguar reagim ndaj burrave të armatosur, vetëm ka pohuar me kokë.
“Liderët e bandave flasin për liri dhe reprezentim të njerëzve në mënyrë që të fitojnë mbështetje”, paralajmëron Gedeon Jean, një analist i të drejtave të njeriut në Port-au-Prince, i cili ka ndjekur rritjen e kidnapimeve nga bandat për vite të tëra. “Por e gjitha që duan ata është më shumë fuqi dhe një shtet që pranon krimet e tyre”.
Ishulli amerikan në tokën e bandave
Më pak se një milje larg ndodhet Ambasada e SHBA-së, me ushtarët e pozicionuar në çati duke vëzhguar rrethinën. Javën e kaluar, anëtarët e Kraze Baryés kanë sulmuar një lagje të afërm, duke larguar rreth 150 njerëz nga shtëpitë e tyre dhe duke e qëlluar një burrë në zemër, sipas dëshmitarëve të rastit.
Si ishull brenda territorit të Innocentit, kompleksi diplomatik është përmbysje e marrëdhënieve të Haitit dhe SHBA-së. Këtu, Kraze Baryé është forca e frikshme rajonale, që dominon lagjet Torcell, Tabarre dhe Delmas, të cilat amerikanët duhet t’i kalojnë për të arritur në ambasadën e tyre.
Kjo gjeografi e pakëndshme nënkupton gjithashtu se Innocenti qëndron mes pjesës tjetër të bandave të Haitit dhe Washingtonit, kapaciteti dhe oreksi i të cilit për ndërhyrje ushtarake në kaosin e ngopur me gjak të vendit janë subjekt i spekulimeve të vazhdueshme të vendit.
Deri më tani, SHBA-ja ka anashkaluar çdo ngatërresë ushtarake në Haiti. Përkundër kësaj, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken ka njoftuar në mars se SHBA-ja do të kontribuonte me 300 milionë dollarë për një mision shumëkombësh të sigurisë në vend. Por deri më tani, vetëm 18 milionë dollarë janë depozituar në Fondin e Mirëbesimit të menaxhuar nga OKB-ja për misionin, me 8.7 milionë dollarë të ofruara nga Kanadaja, 3.2 milionë nga Franca dhe 6 milionë dollarë të ofruara nga SHBA-ja.
Misioni i udhëhequr nga Kenia, i cili do të përfshinte edhe personel nga Bahama, Bangladeshi, Barbadosi, Benini, Çadi dhe Xhamajka, është ndaluar për shkak të shqetësimeve rreth jostabilitetit politik të Haitit.
Dhe pavarësisht statusit “Më i kërkuari”, Innocenti duket i interesuar në mbajtjen e marrëdhënieve mes Kraze Baryés dhe ambasadës fqinje. “Është nder i madh kur një vend e ka ambasadën në afërsi, sepse kështu ai dëshiron të bashkëpunojë me ne”, ka thënë Innocenti.
Muajin e kaluar, dhjetëra helikopterë kanë evakuuar urgjentisht qytetarët amerikanë, duke i dërguar në një ndërtesë tjetër të ambasadës. Ky operacion ka qenë i rrezikshëm për shkak të anëtarëve të Kraze Baryés, por fluturimet janë kryer pa incidente.
Kur është pyetur për pretendimet e autoriteteve amerikane sa i përket kidnapimeve të vitit 2021, ku dhjetëra misionarë të SHBA-së dhe Kanadasë – duke përfshirë edhe fëmijë – janë mbajtur peng për javë të tëra, ai ka thënë se sistemi i drejtësisë nuk i ka dhënë mundësinë t’u përgjigjej këtyre pretendimeve, por se ishte i gatshëm ta mbronte veten në gjyq.
“Ne besojmë në ligj. Ne duam ta bëjmë zgjedhjen më të mirë, të konsultohemi me këshilltarët ligjorë dhe ta kryejmë procesin e duhur”, ka thënë ai.
Me të gjithë shfaqjet e tyre të forcës, kontrolli që kanë bandat e Haitit është i dobët dhe ushtarët e tyre janë të disiplinuar dhe të trajnuar dobët, thonë ekspertët. Shumë vëzhgues, duke e përfshirë ish-ambasadorin e SHBA-së, Rick Barton, besojnë se do të duhej vetëm një forcë e vogël e specializuar luftarake – le të themi, disa qindra marinarë – për ta ndaluar krizën dhe për t’i krijuar kushtet e duhura për arritjen e një misioni të madh sigurie shumëkombëshe dhe të fillojë asistenca me policinë e Haitit.
Haiti nuk ka qeveri kalimtare, nevojitet emërimi i kreut të ri të qeverisë dhe kabinetit, koordinimi i forcave të sigurisë shumëkombëshe për ta rimarrë kryeqytetin dhe mbajtja e zgjedhjeve. Por bandat e Haitit kërkojnë një ulëse në tavolinën e negociatave. Nëse nuk e kanë, Viv Ansanmi do të përdorë mjete të tjera, ka paralajmëruar Innocenti.
Jean thotë se tërheqja e ish-kryeministrit në mars ka qenë gabimi që e ka vendosur Innocentin dhe të tjerët drejt një rruge të pakrye. Tërheqja e tij është dukur sikur i ka provuar pretendimet e bandave, që ato janë aktore politike legjitime, thotë Jean.
“Ata mendojnë: ‘Ne e kemi larguar Henryn, kështu që duhet të përfshihemi në ndryshimet politike’”, thotë ai. “Por nëse u bëhet e mundur kjo, ata vetëm sa do ta provojnë veten më tutje”.
Ndër kërkesat e tyre, bandat duan amnisti nën çdo qeveri të ardhshme, ka thënë Innocenti dhe një plan për të ardhmen e shumë të rinjve që aktualisht ndjekin urdhrat e tij – të dyja çështje që janë ngritur edhe nga anëtarët e këshillit drejtues.
“Kur t’i lëshojmë armët, duhet ta dimë se do të kemi shtet që sjell kornizë për të ardhmen. A mund t’i them unë dikujt ta lëshojë armën dhe të hajë një gur? Natyrisht që jo”, ka thënë Innocenti.