Mario Balotelli vendosi të rikthehej në Serie A këtë verë dhe aktualisht është pjesë e Brescia. Sulmuesi ndihet në formë dhe tregon se ka punuar shumë gjatë kësaj periudhe, madje më shumë seç ka punuar në gjithë karrierën e tij.
“Mendoj se kam punuar aq shumë gjatë 45 ditëve të fundit, madje më shumë se sa në një dekadë të karrierës time. Natyrisht nuk kam përgatitjen e duhur për ndeshje, pasi kam luajtur vetëm dy miqësore. Gjithsesi jam në një formë të shkëlqyer”, shprehet sulmuesi për DAZN.
Balotelli nuk e fsheh dëshirën të rikthehet të luajë për Italisë, por së pari duhet të zbresë në fushë me skuadrën e Brescia: “Sigurisht objektivi im është të luaj për Italinë në Europian, por momentalisht mendoj më së shumti të kap formën maksimale sa më shpejt dhe të jap kontributin tim për ekipin e Brescia”.
Sulmuesi mund të debutojë të martën, në një ndeshje mjaft të vështirë kundër Juventusit. Fakti që do të ketë përballë Cristiano Ronaldon nuk i jep atij ndonjë motivim ekstra, edhe pse vlerësimi për portugezin është maksimal.
“Ronaldo është një prej lojtarëve më të mirë në botë dhe është mirë të përballesh me më të mirë. Do të përpiqem të shënoj dhe të luaj ashtu siç bëj në çdo ndeshje. Prania e tij nuk është se më intereson shumë”, ka përfunduar Balotelli. /abcnews.al