Balona kineze errësoi qiejt diplomatikë

schedule08:22 - 13 Shkurt, 2023

schedule 08:22 - 13 Shkurt, 2023

Qytetarët amerikanë, për herë të parë, panë një gjë të prekshme nga Kina, që e sfidon sigurinë e tyre kombëtare: një balonë gjigante të bardhë. Për disa ditë, ajo fluturoi mbi qiejt e Shteteve të Bashkuara duke u bërë objekt i një kurioziteti të pafundmë nga publiku: Çfarë është? Çfarë po bën? Dhe e kujt është?

Pentagoni më pas tha se është një balonë ushtarake nga Kina që ka qëllime spiunimi dhe presidenti Joe Biden dha urdhër për rrëzimin e saj.

“I thashë Departamentit të Mbrojtjes se dua ta rrëzoj sa më shpejt. Ata konstatuan se nuk duhet ta rrëzojmë mbi tokë, se nuk është një kërcënim serioz, dhe se duhet të presim derisa të kalojë mbi ujë”, tha Biden.
Ministria e Jashtme e Kinës tha se balona ishte civile dhe se ishte përdorur për qëllime meteorologjike. Zëdhënësja Mao Ning tha se i vjen keq që ka hyrë “paqëllimshëm” në qiejt e SHBA-së dhe dënoi rrëzimin e saj.

“Kina është një vend i përgjegjshëm. Ne gjithmonë i kemi respektuar me përpikëri ligjet ndërkombëtare dhe kemi respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të tjera”, tha Mao.

Incidenti me balonën bëri që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ta anulonte vizitën në Pekin, më 5 dhe 6 shkurt, për të cilën të dyja vendet kishin shpresuar se do t’i qetësonte marrëdhëniet e tyre të tensionuara.

“Prania e balonës kineze në hapësirën ajrore të SHBA-së është shkelje e qartë e sovranitetit të SHBA-së dhe ligjit ndërkombëtar. Është një akt i papërgjegjshëm dhe ky veprim i Kinës, në prag të vizitës sime të planifikuar, është i dëmshëm për diskutimet që i kemi planifikuar”, tha Blinken.
SHBA-ja dhe Kina kanë marrëdhënie të tensionuara për një varg çështjesh, si: spiunazhi, tregtia, pozicionimi ushtarak i Pekinit në Tajvan dhe abuzimet me të drejtat e ujgurëve dhe pakicave të tjera kryesisht myslimane në provincën kineze, Ksinjiang.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që balonat kineze kalojnë hapësirën ajrore të SHBA-së – gjatë kësaj administrate apo asaj para saj – por informacionet e tilla nuk janë bërë publike deri më tash. Vetë gjenerali i Forcës Ajrore të SHBA-së, Glen VanHerck, ka thënë se ushtria ka mësuar për ato fluturime pasi komuniteti i inteligjencës i ka mbledhur faktet dhe e ka njoftuar.

Po, përse kësaj here balona ka marrë vëmendje aq të madhe? Gabriel Wildau, analist i rrezikut politik nga Kina, pranë Institutit Teneo, flet për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Dallimi këtë herë është se kjo balonë ka pësuar një problem teknik dhe ka fluturuar më poshtë. Për këtë arsye, nuk ka mundur të mbahet sekret, sepse është parë nga toka, me sy të lirë. Kjo e ka detyruar administratën e Bidenit të flasë publikisht për këtë balonë dhe të zbulojë që edhe balona të tjera kanë kaluar nëpër hapësirën ajrore të SHBA-së në të kaluarën”, thotë Wildau.
Balonat janë një nga format më të vjetra të teknologjisë së mbikëqyrjes. Japonia, për shembull, i ka përdorur ato për të lëshuar bomba në SHBA gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ato janë përdorur edhe nga SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Ekspertët thonë se Kina ka tani teknologji më të sofistikuar për mbikëqyrje. Përdorimi i balonës, sipas tyre, mund të ketë qenë një sinjal për amerikanët, apo test se si do të reagojnë. Christopher Twomey, ekspert i sigurisë në Shkollën Pasuniversitare Detare të SHBA-së në Kaliforni, shpjegon më shumë për Exposenë:

“Sjellja e Kinës është bërë gjithnjë e më provokuese viteve të fundit, dhe është përkeqësuar me pandeminë COVID-19. [Balona] është thjesht një shembull i qartë i atyre provokimeve. Kur qytetarët amerikanë në disa shtete shikojnë kah qielli dhe shohin spiunazhin kinez… mendoj se është një shenjë shumë e fuqishme. Unë mendoj se kjo do ta pengojë administratën Biden që të punojë me Kinën”.
Kina, e cila ka pësuar goditje të mëdha ekonomike nga pandemia, ka dhënë sinjale se dëshiron t’i përmirësojë marrëdhëniet me Perëndimin qysh në fund të vitit të kaluar, kur kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka udhëtuar në Pekin dhe, më pas, kur udhëheqësi kinez, Xi Jinping, ka ofruar një mesazh bashkëpunimi në samitin e grupit të vendeve më të industrializuara, G20, në Bali. Vizita e planifikuar e Blinkenit ka pasur po ashtu këtë qëllim. Për më tepër, Kina ka ftuar në vizitë edhe sekretaren amerikane të Thesarit, Janet Yellen. Dhe fluturimi i balonës kineze në qiejt e SHBA-së duket se nuk shkon në favor të këtyre synimeve të deklaruara. Ekspertët e shpjegojnë ndryshe-ndryshe. Tong Zhao, nga Instituti Carnegie, flet për Exposenë:

“Personalisht, mendoj se ka gjasa të ketë qenë një aksident. Nuk mendoj se Kina e ka lejuar qëllimisht balonën të shkelë hapësirën ajrore të SHBA-së. Një gjë e tillë bart rrezik të madh politik. Nuk mendoj se është një gjë e mençur, që politikanët ta lejojnë qëllimisht”.

Por, eksperti i sigurisë, Christopher Twomey, përmend disa teori të tjera të mundshme.

“Ka dy shpjegime të mundshme. Ose ushtria [kineze] nuk pajtohet me vullnetin e lidershipit politik për t’i përmirësuar marrëdhëniet [me SHBA-në], ose lidershipi politik nuk ka kontroll të fortë mbi ushtrinë, sa i përket përfshirjes në këtë lloj spiunazhi. Ndoshta është rutinë për ushtrinë e Kinës që të bëjë këso lloje monitorimesh, dhe është sfiduese për Xi Jinpingun që t’i kontrollojë ato në baza ditore. Por, sido që të jetë, do të duhej të ishte shqetësuese nga këndvështrimi amerikan”, thotë Twomey.
Zyrtarët amerikanë nuk kanë thënë se çfarë të dhënash mund të ketë mbledhur balona kineze dhe nëse ajo ka shkaktuar ndonjë dëm në marrëdhëniet e brishta SHBA-Kinë. Por, Gabriel Wildau, nga Institutit Teneo, thotë se balona patjetër se hedh benzinë në zjarr.

“Janë shumë faktorë që i kanë nxitur tensionet midis SHBA-së dhe Kinës dhe ata sigurisht që nuk janë zhdukur. Ka mundësi që tensionet do të përshkallëzohen. Nuk jam i sigurt që incidenti me balonën do të jetë shkak i një përshkallëzimi të madh. Do t’i japë zë zhurmës së deritashme. Do ta ushqejë ndjenjën e përgjithshme anti-Kinë dhe mosbesimin ndaj Kinës, i cili është shumë i fuqishëm në Uashington”, thotë Wildau.

Në vitin 2021, inteligjenca amerikane ka publikuar një raport, ku ka vlerësuar se Kina përbën kërcënimin më të madh për SHBA-në. Raporti nuk ka paraparë ndonjë konfrontim ushtarak me Kinën, por ka vlerësuar se betejat e saj për pushtet do të intensifikohen me spiunim, me operacione të inteligjencës dhe me sulme kibernetike.

Qendra amerikane Pew, në anën tjetër, ka publikuar rezultatet e një sondazhi në shtator të vitit të kaluar, sipas të cilit, mbi tri të katërtat e amerikanëve kanë një opinion të pafavorshëm për Kinën. Sondazhi është kryer në periudha të ndryshme nga viti 2020 deri më 2022.
Disa ekspertë thonë se bota gjendet në epokën e një lufte të re të ftohtë. SHBA-ja është duke ngritur baza ushtarake dhe duke bërë stërvitje të shpeshta detare pranë hapësirave që Kina pretendon se janë ujëra të saj territoriale. Kina, në anën tjetër, po zhvillon disa nga teknologjitë më të sofistikuara të spiunazhit kibernetik.

Tong Zhao, nga Instituti Carnegie, thotë se incidenti me balonën mund të shndërrohet në një moment përcaktues të luftës së re të ftohtë, nëse politikëbërësit nuk tregohen të përmbajtur dhe të vëmendshëm.

“[Ky incident] mund t’i çojë marrëdhëniet dypalëshe në një trajektore në rënie, në një pikë ku nuk ka më kthim. Mjedisi aktual është aq sfidues dhe armiqësor. Mendoj se rreziku është padyshim real, por shpresoj që politikanët të jenë racionalë dhe të veprojnë me koka të ftohta për t’i ulur tensionet”, thotë Tong.

Se çfarë drejtimi do të marrin ngjarjet, mbetet të shihet. Mediat në SHBA kanë cituar disa zyrtarë të kenë thënë se balona kineze ka qenë e pajisur me antena të shumta, të cilat kanë pasur kapacitet të kapin sinjale komunikimi. Sipas tyre, SHBA-ja po e shqyrton marrjen e masave kundër disa grupeve të lidhura me Qeverinë kineze, të cilat kanë qenë të përfshira në fluturimin e balonës. Ministria e Jashtme kineze ka thënë se të dyja palët duhet të qëndrojnë qetë. Blinken, në anën tjetër, ka thënë se do ta vizitojë Pekinin “kur ta lejojnë kushtet”, por nuk ka specifikuar më shumë.

/ Rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!