Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku dhe Drejtori OST, Skerdi Drenova kanë dhënë detaje sa i takon situatës me linjat e transmetimit të energjisë elektrike në të gjithë territorin e vendit.
Ministrja Balluku, ndër të tjera tha se qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm gjatë ditëve në vijim, pas paralajmërimeve për përkeqësim të vazhdueshëm të motit.
Balluku tha se të gjitha ekipet kanë qenë gjatë natës dhe ditës së sotme në terren për shkak të avarive nga moti. Sipas saj, ata nuk kanë shkop magjik për të ndaluar borën, por janë në krye të punës dhe i bëjnë ato siç duhet.
“Përveç faktit që të gjitha grupet kanë qenë në terren për shkak të avarive nga moti, përveç këtij fakti, dhe punës së madhe që është bërë ne sot transmetojmë energji.
Nuk kemi shkop magjik që ta lëmë borën të mos prekë tokën. Por të gjithë qytetarët e dinë shumë mirë se ne jemi në krye të punëve dhe punët bëhen siç duhet. Ne kërkojmë vetëm bashkëpunimin nga ana e tyre. Deri të premten të jenë sensitivë ndaj lëvizjeve”, tha Balloku.
Sakaq, Drenova dha detaje për gjendjen e linjave të transmetimit, ku theksoi se aktualisht po punohet për një problem në Fierzë.
“Akset energjitike janë të gjitha në punë. Patëm defekte të rënda në dy linja. Dje në mes të natës ekipet e Burrelit kanë qenë në majë të maleve duke analizuar problemet. Edhe ekipet e Fierzës kanë qenë në majë të maleve. Sot në mëngjes janë nisur katër grupe të tjera dhe kanë lokalizuar problemin e Fierzës. Në kushte ekstreme moti ata njerëz po punojnë atje për ta mbyllur këtë defekt”, tha ai. g.v/abcnews.al