TIRANË- Zv.kryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se investimet e kompanisë francezë “Voltalia” në vendin tonë janë dëshmi e qartë e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve.
Me një shënim në faqen e saj zyrtare në Facebook, Balluku u shpreh se kjo kompani është një shembull për t’u ndjekur edhe nga kompanitë e tjera që duan të investojnë në Shqipëri.
Ajo dha lajmin e mirë teksa shtoi se një tjetër kompani e madhe energjetike franceze ka nisur investimet në Shqipëri.
“Investimet e kompanisë së ekselencës franceze Voltalia në Shqipëri, janë dëshmi e qartë e marrëdhënieve ekonomike të intensifikuara në mënyrën më optimale vitet e fundit. Shembulli #Voltalia është një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë investitorët e tjerë dhe me kënaqësi kemi konstatuar se dhe Total, një tjetër kompani e madhe energjetike franceze, ka nisur tashmë investimet në Shqipëri. Mbrëmë gjatë darkës zyrtare, të organizuar në Pallatin e Brigadave për nder të Presidentit Macron, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Emmanuel Macron përgëzuan nga afër kompaninë Voltalia , por ishte dhe një mundësi e mirë për të diskutuar më tej me kolegun, Ministrin, Olivier Becht për planet zhvillimore të së ardhmes midis dy vendeve tona.”, shkroi zv.kryeministrja Balluku.