Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku i është përgjigjur nga foltorja e Kuvendit kritikëve për menaxhimin e situatës përgjatë përmbytjeve. Ajo tha se shumë personave i ngeli në mendje borëpastruesja ku hipi ajo ndërsa me ironi shtoi se mund t’u bëjë një xhiro edhe atyre.
Balluku iu përgjigj deputetes Fatjona Dhimitri duke i kërkuar të mos i rëndojë më shumë shqiptarëve situatën ku ndodhen sot.
“Nuk e di nëse keni dalë në terren. Siç i keni parë Taulantin të future në ujë dhe borë. Kërkoni pak bëni searche para se të shkruani fjalët. Bora pa dyshim bie edhe pasi kalon borëpastruesja. 37 kontratat rajonale të mirëmbajtjes kanë qenë aktive. Është përballuar në mënyrën më të mirë kjo propagandë. Juve që ju ngeli mendja të borëpastruesja ku hipa unë mund t’iu bëj një xhiro me borëpastruese.
e di çfarë është kjo dhe ku doni të dilni. Ju thoni që nuk ka polici në terren. Por si u hapën këto rrugë. I hapët ju me imagjinatën tuaj duke parë televizor. Cili shqiptar ka ndonjë dyshim se si e kemi përballuar ne tërmetin. Në Aquila ka njerëz që jetojnë ende në kontejner. Ne po mbarojmë shtëpitë pa I kërkuar asnjë ndihmë qytetarit.
Në Shqipëri po kompensohen të gjithë për dëmet. Unë e kuptoj që ti nuk ke shumë punë për të bërë dhe mundësia jote është të dalësh njëherë në javë. Njerëzve nuk i mjafton tërmeti dhe pandemia por ju kanë dhe ju që lëshoni helm”, tha Balluku./mv.abcnews.al