Balluku inspekton punimet në aksin Thumanë-Kashar: Po punohet me ritme të shpejta për të qenë gati në 30 qershor

schedule14:51 - 13 Maj, 2024

schedule 14:51 - 13 Maj, 2024

Janë drejt përfundimit punimet për ndërtimin e aksit rrugor Thumanë – Kashar, ndersa 30 qershori është dita kur parashikohet që segmenti të jetë i hapur për lëvizjen e automjeteve duke i paraprirë kështu nisjes së sezonit turistik.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli ndoqën nga afër ecurinë e punimeve.

Thumanë – Kashar ka një gjatësi prej 21 kilometrash dhe aktualisht punimet janë përqendruar në 5 kilometrat e fundit të kësaj vepre. “Mbi 15 kilometra pothuajse janë të përfunduara me të gjitha punimet, shtresat asfaltike, barrierat mbrojtëse. Jemi fokusuar tashmë në 5 kilometrat e fundit përfshirë dhe nyjën e dytë të Kasharit. Punimet janë nënkontroll, koncensionari do të arrijë të përfundojnë brenda qershorit të gjitha punimet dhe rruga të jetë e shfrytëzueshme për përdoruesit në kushte të plota sigurie”, u shpreh Gjyli.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha deri më tani janë realizuar afro 90% e punimeve, ndërsa po vijohet me ritme të larta, duke punuar me tre turne, për të bërë të mundur hapjen e aksit në afatin e parashikuar që është data 30 qershor.

“Një nga kantieret më të rëndësishme që kemi sot si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar është kantieri Thumanë-Kashar. Një kantier i cili gëlon dhe për më tepër një kantier i cili ka një afat që kryeministri na ka vendosur, një afat shumë sfidues, duhet ta dorëzojmë në 30 qershor të këtij viti. Duket që ka një ecuri shumë të mirë. Këtu punohet me tre turne, disa procese fillojnë në 7 dhe përfundojnë në 12 të natës siç është pjesa e konglometratit apo e tapetit, ndërkohë që mbushja dhe procese të tjera vazhdojnë gjatë gjithë kohës pa ndërprerje”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë duke u ndalur tek projekti i Korridorit Blu njoftoi ecurinë sa i takon segmenteve të tjera që janë pjesë e këtij aksi. “Korridori Blu ka disa segmente. Ky është segmenti i parë që ne dorëzojmë, Thumanë-Kashar, ndërkohë që jemi në fazë negocimi përsa i përket dy segmenteve të tjera Kashar-Lekaj dhe më pas Lekaj-Fier. Përgatitemi shumë shpejt për të hapur garën për Milot-Balldren. Unë e di që është një kërkesë e të gjithë drejtuesve të automjeteve të cilët vizitojnë shpesh kryeqytetin apo Durrësin dhe jetojnë në veri të vendit dhe sigurisht do të kenë një frymëmarrje të jashtëzakonshme”, theksoi Balluku duke shtuar se edhe loti nga Thumana deri në Milot është në fazë negocimi.

Thumanë – Kashar përmban disa vepra arti, 11 ura 105 tombino, 6 mbikalime dhe 6 nënkalime, si dhe ndërtimin e dy nyjeve të mëdha me dalje në aeroportin e Rinasit dhe nyjën e Kasharit ku bëhet edhe lidhja me aksion rrugor Tiranë-Durrës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!