Ballkani është rikthyer te fitorja dhe ka marrë për momentin vendin e parë në kampionatin dardan, në pritje të ndeshjes së Dritës kampione në fuqi. Ekipi nga Suhareka mposhti skuadrën e Drenicës me rezultatin 2-1.
Bledi Shkëmbi fitoi derbin me Bledar Devollin, në një ndeshje që u zhbllokua në fundin e pjesës së parë nga Arbër Hoxha. Fraksioni i dytë i lojës nisi me gol, pasi Bajram Jashanica me një goditje me kokë mposhti për të dytën herë skuadrën mike.
Drenica u mundua të bënte diçka, por goli i Rogovës u shënua vonë. Në ndeshjen tjetër të zhvilluar sot triumfoi Trepça ’89. Skuadra nga Mitrovica mundi 2-1 Besën e vendit të fundit dhe merr tre pikë me shumë vlerë për qëndrimin në elitë.
Rrahmani shënoi i pari, kurse Halili i baraspeshoi shifrat. Jashari ishte ai që i dha fitoren skuadrës së Trepça ’89, që i gëzohet edhe humbjes që pësuar nga rivalët e Drenicës. /abcnews.al
IPKO SUPERLIGA E KOSOVËS – JAVA 23
Ballkani-Drenica 2-1
Shënues: Hoxha 42’, Jashanica 48’ / Rogova 86’
Besa-Trepça ’89 1-2
Shënues: Halili 57’ / Rrahmani 24’, Jashari 63’