Kreu i grupit parlamentar socialist deklaroi nga foltorja e Kuvendit se vota e emigrantëve në zgjedhjet e 25 Prillit është bllokuar nga vetoja e partive opozita PD-LSI.
Replikës nga vendi të deputetit opozitar Selami Jenishheri, Balla iu përgjigj se PS nuk mund të marrë asnjë lloj vendimi që largon Partinë Demokratike nga zgjedhjet. Ai u shpreh se deri sot që flasim Lulzim Basha nuk i ka depozituar ende listat me deputetë në KQZ.
“Vota e emigrantëve është bllokuar nga PD-LSI. Ata kanë bllokuar vendimin e KQZ. Nuk e di arsyen pse PD-LSI kanë shumë urrejtje ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Ne ishim nismëtarët e përfshirjes së tyre. PD-LSI e kanë bllokuar. Unë i ftoj shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të vijnë në Shqipëri dhe të votojnë.
Ne nuk mund të marrim asnjë lloj vendimi që largojnë Partinë Demokratike nga zgjedhjet. PD sot që flasim nuk ka depozituar ende listat me kandidatët. Dimë ne tani që Luli nuk del sonte të thotë që nuk marrë pjesë në zgjedhje. Qetësohuni. Unë njoh një person që ka kaluar në këto faza. Në fillim i iku dashuria, tani po i ikën mendja. Mos u futni në këto faza se nuk ju bëjnë mirë për shëndetin mendor”, tha Balla./mv.abcnews.al