Balla viziton efektivin e plagosur tek Trauma: Guxim i madh për të goditur me armë një punonjës policie

schedule21:02 - 20 Shtator, 2023

schedule 21:02 - 20 Shtator, 2023

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka vizituar mbrëmjen e sotme gjendjen e punonjësit të plagosur të forcave “Shqiponja”, i cili iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale e po mjekohet në Spitalin e Traumës.

Efektivi Edlir Alleshi u plagos me armë zjarri mbrëmjen e sotme, teksa ishte në krye të detyrës duke ushtruar kontrolle në zonën e Kinostudios, në Tiranë.

Ministri Balla tha pasi pa nga afër punonjësin e plagosur se rreziku për jetën ka kaluar, por po mbahet nën monitorimin e mjekëve.

Një gjë është e sigurt se ky guxim i madh për të goditur me armë një punonjës policie, e për të mos iu bindur urdhrit të Policisë, do të marrë një goditje shumë të madhe nga Policia e Shtetit. Do të marrë përgjigjen më të fortë. Thirrja ime për personin, apo familjarë të tij, se dua ta ndaj me mediat se personi është identifikuar, është të dorëzohet menjëherë“, apeloi ministri i Brendshëm.

Strukturat e Policisë së kryeqytetit janë vënë në ndjekje të autorit që ngriti dorë mbi punonjësin me uniformë, për ta përballur atë me drejtësinë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!