Kreu i grupit parlamentar në PS, Tualant Balla ka hedhur edhe njëherë akuza në drejtim të Presidentit Ilir Meta.
Balla, solli në vëmendje takimet e ministrave të Jashtëm të Polonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë. Ai tha se është takuar me diplomatët menjëherë pasi ata kishin mbaruar takimin me Presidentin Ilir Meta, ndërsa theksoi se ky i fundit iu kishte folur, sikur të ishte Presidenti i një vendi kundërshtar me Shqipërinë.
Balla u shpreh se PD është kthyer tashmë në një shtojcë të Ilir Metës. Sipas numrit dy të socialistëve ka një përpjekje për të dëmtuar vlerësimin që dha KE lidhur me negociatat.
“Bashkë me kolegë të opozitës parlamentare jemi ndjerë disi të trishtuar nga qasja që Presidenti i Republikës një orë para takimit me ne kishte pasur me 4 krerët e diplomacisë të katër vendeve përkatëse. Katër ministra që kishin dalë nga një takim, a thua kishin takuar Presidentin e vendi kundërshtar me Shqipërinë. Një president që nga fillimi deri në fund kishte hedhur vrer mbi Shqipërinë. Unë e kuptoj strategjinë politike të gjithëkujt, por besoj mbi të gjitha në qasjen dhe aktivitetin tonë politik duhet të kemi qasje për të shprehur vlerësim dhe dashur për vendin tonë.
Nuk dua të zgjatem më shumë të filoj dhe të sqaroj këtu se si me lloj-lloj letrash drejtuar Presidentëve apo kryeministrave të vendeve anëtare në BE, prej disa ditësh Ilir Meta bashkë me ndonjë faktor tjetër të opozitës, më vjen keq këtu sesi përfundoi PD të jetë shtojcë e Ilir Metës, ka një përpjekje për të dëmtuar sado pak vlerësimin që dha KE të hënën dhe ne mezi të presim e jemi besim plotë se në 26, 27 dhe 28 mars ne të marrim një lajm pozitiv”, u shpreh Balla./abcnews.al