Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla njoftoi sot para mediave se pak më vonë do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve që do të bëjë një vlerësim të dekretit të djeshëm të Presidentit Meta si edhe të betimit të sotëm të Arta Vorpsit para noteres si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
“Nuk dua të bëj një koment për këtë çështje këtu, do të kemi kohë boll. Pas pak minutash do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve ku do të ketë një diskutim për këtë çështje. Mendoj se në këtë kontekst të krijuar, duhet një qendrim institucional në mbrojtje të Kushtetutës”, iu përgjigj Balla interesit të gazetarëve, ndërkohë që njoftonte shpërndarjen e materialeve zgjedhore për zgjedhjet e delegatëve të Partisë Socialiste.
Arta Vorpsi u betua sot para noteres Miranda Xhemalçe dhe më pas hyri në zyrën e saj në godinën e Gjykatës Kushtetuese për të filluar punë. E gjithë kjo shkaktoi reagime të forta publike, ku institucioni i Presidencës theksoi se s’mund të ndalonte betimin e askujt as tek noterja dhe as tek parukierja, kurse nga PD deklaruan se Rama praktikisht i ka kapur të gjitha institucionet. /abcnews.al