Balla: Gati të diskutojmë hapjen e listave, jemi mes marrëveshjes mes “bijve dhe baballarëve”

schedule14:16 - 9 Korrik, 2020

schedule 14:16 - 9 Korrik, 2020

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka deklaruar në foltoren e Kuvendit se PS është e gatshme të diskutojë për hapjen e listave.

Balla tha se do diskutohen edhe ndryshimet e tjera kushtetuese që kanë të bëjnë me koalicionet parazgjedhore dhe vendosjen e një pragu kombëtar.

Megjithatë Balla theksoi se duhet një marrëveshje trepalëshe mes mazhorancës dhe dy opozitave.

“Jemi të gatshëm të diskutojmë ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me një hapje të pjesshme të listave dhe koalicionet dhe vendosjen e një pragu kombëtar, që bën sens. Këto janë çështje që vijojnë të diskutohen.

Ne kemi treguar vullnet sa i përket hapjes së listave dhe ju duhet të tregoni vullnet për diskutimet që vijojnë javën e ardhshme për kodin zgjedhor. Ishte e pavlefshme të vazhdonim me një Komision të Posaçëm të Zgjedhore, kur edhe Komisioni i Ligjeve i ka të gjitha kompetencat. Jemi të gatshëm të vijojmë diskutimin.

Parlamenti është ai që vendos. Duam ta çojmë përpara edhe një marrëveshje me ju për ato që ju keni propozuar. Një marrëveshje tre palëshe ku ne jemi në mes bijve dhe baballarëve të partive respektive të realizojmë marrëveshje për zgjedhjet që do të mbahen vitin e ardhshëm.

Në 17 Maj kemi rënë dakord të garonim pa koalicione. Kuvendi i Shqipërisë nuk merr urdhra nga askush, as porosi. Do t’i kërkoja opozitës që ndaj deputetëve të saj të tregojë respekt”, tha Balla./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!