Balla apel kryebashkiakëve: Shërbimi zjarrfikës nuk është vend për qoka

schedule15:32 - 12 Mars, 2024

schedule 15:32 - 12 Mars, 2024

Ministri i Brendshëm Taulant Balla u ka tërhequr vëmendjen kryebashkiakëve të vendit duke thënë se në shërbimin zjarrfikës duhet të investohet seriozisht dhe të mos shihet si një vend për të bërë qoka me punësimet.

“Kam besimin – tha Balla – se kryetarët e bashkive e kuptojnë që vendi i punës së punonjësit të zjarrfikësit nuk është një vend për të bërë qokë!”

Balla tha se duhet ndryshuar mënyra e përzgjedhjes të punonjësve të shërbimit zjarrfikës dhe shpëtimit.

“Do të vazhdojmë të plotësojmë strukturat operacionale, me një proces ku kemi përfshirë dhe Akademinë e Sigurisë, në trajnimin, por dhe certifikimin e të gjitha niveleve në shërbimin zjarrfikës, ku marrja e gradës nuk mund të jetë më një vlerësim fiktiv, por duhet të jetë një vlerësim objektiv i performancës dhe natyrshëm i eksperiencës së fituar në këtë shërbim”.

Duke u ndalur tek afrimi i sezonit turistik ministri Balla tha se duhet kontrolluar çdo qendër tregtare dhe cdo njësi akomodimi për turistet nëse i kanë të gjitha standardet e mbrojtjes nga zjarri.

Deklaratat ministri i bëri gjatë ceremonisë së dorëzimit të disa mjeteve zjarrfikëse, dhuruar nga Qeveria Polake, për 3 bashkitë Lezhë, Fier e Pogradec./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!