Një balenë beluga, për të cilën është aluduar më parë se është balenë spiune e marinës ruse, është parë duke notuar me shpejtësi pranë brigjeve suedeze të dielën.
Balena e bardhë disa metra e gjatë u zbulua për herë të parë disa vite më parë me një rrip me kamera, pranë Norvegjisë, duke ngjallur diskutime se po përdorej për spiunazh.
Që atëherë, balena njihet si Hvaldimir, duke kombinuar fjalët hval (balenë në norvegjisht) dhe emrin e zakonshëm rus Vladimir, që është edhe emri i presidentit të Rusisë.
Kur u vu re për herë të parë në vitin 2019, rripi i balenës ishte i pajisur me një aparat të vogël dhe në rripin plastik ishte printuar “Equipment St. Peterburg” (Pajisjet e Shën Peterburgut).
Të dielën, Hvaldimir u pa pranë Hunnebostrand në perëndim të Suedisë. Hvaldimir ka lëvizur më shpejt se ritmi normal. Shkaqet kryesore të lëvizjes mund të lidhen me hormonet ose nga vetmia, pasi belugat janë qenie shumë shoqërore.
Balena nuk është specia e vetme detare që është përdorur si forcë ushtarake. Gjatë Luftës së Ftohtë, si SHBA ashtu edhe Bashkimi Sovjetik nisën përdorimin e delfinëve për qëllime ushtarakë. Përmes tyre mund të zbulohen objekte nënujore si minat.
Në prill 2022, u raportua se Rusia vendosi delfinë ushtarakë të trajnuar në bazën detare në Detin e Zi, ndoshta për të mbrojtur flotën nga një sulm nënujor.
Guardian raporton se SHBA ka shpenzuar të paktën 28 milionë dollarë për të mbajtur trupat e delfinëve dhe luanëve të detit, të cilët janë gjithashtu të trajnueshëm për të ndihmuar në konflikte.
/abcnews.al