Bekim Balaj ndodhet në Austri, aty ku luan me skuadër e Sturm Graz. Edhe atje kampionati është ndalur dhe sulmuesi po qëndron i izoluar, ndërkohë që edhe stërvitet. “Kam marrë një program dhe po stërvitem vetëm.
Këto kohë kam bërë stërvitje vetëm në një park afër shtëpisë sime, por edhe atë do ta mbyllin. Mbi të gjitha është jeta, e rëndësishme është të kalojë kjo situatë”, tregon Balaj në emisionin “Fan Zone”, që transmetohet në Supersport 1.
Familja e Balajt jeton në Itali dhe normalisht sulmuesi është i shqetësuar dhe këtë e shprehu edhe gjatë emisionit: “Jam në merak për prindërit e mi dhe motrën, që jetojnë në Itali, në Rimini. Është një zonë mjaft e prekur nga Koronavirusi”.
Nuk mungojnë pyetjet edhe për kombëtaren dhe Balajt tregon se si e kalojnë kohën: “Kam kontakte me shokët e kombëtares, e kalojmë kohën duke luajtur Ludo King”.
Në fund ai ngacmohet edhe për kualifikimin në EURO 2016, nëse ishte fati apo forca e Shqipërisë që i çoi në atë kompeticion. “Jam i bindur që e merituam atë kualifikim, bëmë shumë mirë në shumë ndeshje”, u përgjigj sulmuesi shkodran. /abcnews.al