Bakaj: Këtu duhet të ishte edhe Ibrahimi, ja çfarë i kam thënë Maliqit

schedule17:08 - 28 Nëntor, 2021

schedule 17:08 - 28 Nëntor, 2021

Lojtari më i mirë i ndeshjes mes Dinamos dhe Kastriotit ishte portieri i bluve Edvan Bakaj. Gjatë sfidën me krutanët gardiani i portës së Dinamos bëri 2-3 pritje vendimtare që i siguruan në fund edhe fitoren skuadrës së tij.

Për “Supersport”, Bakaj është shprehur se më të duhet të ishte edhe Agim Ibrahimi që arriti të shënonte golin e fitores, ndërkohë portieri i bluve zbuloi edhe një prapaskenë se çfarë i ka thënë Edis Maliqit në momentin që gjyqtari akordoi penallti.

“Mendoj se duhej të ndanim përgjysmë me kapitenin Ibraimi, çmimin e më të mirit të ndeshjes. Portieri mund të bëjë shumë mirë për të mbajtur ndeshjen 0-0, por kapiteni shënoi golin që na dha fitoren, ndaj duhej të ishim të dy këtu.

Unë stërvitem vazhdimisht me Harizajn dhe qëllimi ynë është të jemi gjithmonë gati për të dhënë më të mirën për skuadrën, sa herë që trajneri na kërkon të jemi në fushë.

Kam folur edhe me Ibraimin dhe mund të them që nuk jemi aty ku duhet, pavarësisht fitores,. Dinamo ka fanellë të rëndë dhe për ta përfaqësuar me sukses, duhet derdhur edhe gjak në fushë.

Në fillim të sezonit, trajneri Shkëmbi tha se unë do të jem portier i parë, por do të merrnin edhe Harizajn si një portier i ri, i talentuar. Unë e pranova, por i thashë që do të stërvitem gjithmonë për të qenë titullar dhe kështu kam bërë gjithmonë. Jam stërvitur me intensitet, si të isha titullar në sfidën e radhës dhe kjo ka dhënë frytet e veta.

Kur arbitri dha fillimisht penallti, nuk mendova gjë, por i thashë Maliqit që u mësuat keq me mua që pres penallti dhe po i shkaktoni lehtësisht.

Vërtetë Dinamo është një skuadër me fanellë të rëndë dhe histori, por problemi i ekipit tonë është se ka kaluar shumë vite në Kategorinë e Parë dhe tani është krijuar nga e para, ndaj duhet të kemi pak më shumë durim. E di që kjo fjalë është e vështirë në Shqipëri, por gjërat nuk bëhen me buton.

Ne kemi vendosur që do të marrim premio vetëm kur fitojmë ndaj skuadrave që kemi sipër vetes, jo poshtë vetes”, theksoi Bakaj. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!