Bajerni nuk e kënaqi plotësisht trajnerin Kovaç

schedule23:20 - 7 Shkurt, 2019

schedule 23:20 - 7 Shkurt, 2019

Trajneri i Bajernit, Niko Kovaç, pati kritika për skuadrën e tij, pavarësisht nga kualifikimi në Kupën e Gjermanisë. Tekniku kroat mbeti i pakënaqur nga gabimet e futbollistëve.

Luajti mirë dhe dominoi një ndeshje që pritej shumë më e vështirë. Bajerni la pas disfatën e Leverkusenit në Bundesligë, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë, me suksesin 3-2 në Berlin ndaj Hertës, ndonëse nuk është se kënaqi plotësisht. Sërish u desh të kaloheshin vuajtje të mëdha.

Kampionët fituan vetëm në 30 minutat shtesë, në një shpenzim të madh energjish, që nuk duhej të ndodhte me atë që dhanë në fushë. Trajneri Niko Kovaç nuk ngurroi të gjente arsyen.

“Ne duhet të mos bëjmë gabime të tilla në të ardhmen, – tha ai, – gabuam gjëra elementare. Nëse do të jemi më të vëmendshëm, nuk do të pësojmë 2 apo 3 gola, dhe do ta kemi më të lehtë për të fituar ndeshjet”.

Pa dyshim, fjalët ishin mbi të gjitha për Mats Humelsin që i fali Hertës golin e barazimit 2-2. Shoku i Humelsit në mbrojtje, Niklas Zyle, e mbrojti kolegun duke thënë se këto janë gjëra që ndodhin, veçse tek Bajerni po ngjajnë pak si shpesh.

Mitelshtat shënoi i pari për Hertën, pastaj Serg Gnabri realizoi dy herë për Bajernin, përpara sesa Zelke të barazonte. Në shtesë, Kingsli Koman, i ardhur nga stoli, shënoi golin përcaktues në 98’. Kupa është edhe më shumë objektiv për bavarezët këtë edicion, pasi Bundesliga duket në dorë të Dortmundit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!