Bajerni është optimist për të mbrojtur titullin kampion në Gjermani. Trajneri Niko Kovaç vlerësoi skuadrën pas fitores me Hofenhajmin.
Vit i ri, histori e re. Tek Bajerni e dinë se çdo të thotë të luftosh në Bundesligë, dhe duket se të besuarit e trajnerit Niko Kovaç, më në fund, gjetën rrugën e duhur për të shkuar tek fitorja.
Suksesi 2-1 në stadiumin e Hofenhajmit ishte një rezultat i rëndësishëm, dhe që e lejoi të vazhdonte duelin për titull me kryesuesen Dortmund.
Hofenhajmi lufton për kupat e Europës, ndaj ishte detyrë e vështirë për Bajernin, por kampionët e Gjermanisë duket se janë kthyer nga faza përgatitore me mendje të mbledhur.
Leon Gorecka shënoi dy gola në pjesën e parë, dhe Robert Levandovski vulosi gjithçka në minutat e fundit, ndërsa vendasit thjesht shkurtuan diferencën pas pushimit.
Gazeta “Bild” lavdëron trajnerin dhe titullon: Tre mesazhet e Kovaçit!
“Jemi gati për të sfiduar Dortmundin deri në fund, – ishin fjalët e kroatit pas ndeshjes, – ne jemi gjahtarët për titullin. Pjesa e parë ishte fenomenale. Kështu donim të luanim dhe kështu bëmë. Gjëja kryesore është të jesh në krye në fund të sezonit”.
Njeriu që shënoi më shumë ishte Gorecka, por ai që po shkon drejt rekodeve është Levandovski.
Ky ishte goli i 191-të i polakut në Bundesligë.
Sulmuesi 30-vjeçar është vetëm 3 gola larg Klaudio Pizarros, ndërsa pak më larg janë Manfred Burgsmyler (213) dhe ish-trajneri i tij, Jup Hajnkes (220).
Besohet se polaku mund t’i arrijë këta, për t’u ngjitur në podiumin e shënuesve më të mirë në historinë e Bundesligës.
Sidoqoftë, nuk dihet nëse do të ketë aq jetë sportive sa të pretendojë për të kaluar numrin 2 në histori, Klaus Fisherin me 268 rrjeta, dhe rekordmenin absolut, Gerd Mylerin që ka 365. /abcnews.al