Bahtiri pranon rezultatin e zgjedhjeve: E telefonova Hamzën dhe i urova fitoren

schedule12:32 - 18 Tetor, 2021

schedule 12:32 - 18 Tetor, 2021

Kryetari në largim i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri ka reaguar pas humbjes në zgjedhjet e djeshme në këtë komunë, duke e pranuar humbjen. Bahtiri tha se mbrëmë e ka telefonuar rivalin e tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamzën, për t’i uruar fitoren.

 “Mbrëmë kam telefonuar kundërkandidatin Bedri Hamza, të cilit i urova fitore. Në këtë bisedë të shkurtër, e sigurova që të gjitha punët do të jenë të përgatitura për t’ia përcjellë kur të vjen procesi i pranim-dorëzimit dhe kërkova që projektet e filluara mos të ndërpriten”, shkroi Bahtiri.

“Natyrisht në garë dikush fiton dhe dikush tjetër humb dhe kjo vendoset nga populli. Falenderoj qytetarët që për dy herë radhazi më kanë dhënë besimin mua për të udhëhequr Mitrovicën. Gjithashtu, falenderoj shumë të gjithë qytetarët që edhe kësaj radhe besuan në mua duke më votuar”, shtoi Bahtiri në Facebook.

Bedri Hamza nga PDK-ja ka fituar 53,86% të votave në këtë komunë, duke e shmangur balotazhin. Bahtiri, ndërkaq, humbi duke marrë 34,40% të votave. I treti doli kandidati i LDK-së, Armend Agolli, i cili mori 11,74% të votave.

Agolli po ashtu e ka uruar Hamzën për fitoren.

“I uroj Bedriut për rezultatin e arritur, uroj që ai ta respektoj vullnetin e qytetarëve me përulësi”, shkroi Agolli. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!