Baerbock: Shumë vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor i kemi lënë pas dore, i kemi zhgënjyer

schedule12:45 - 10 Mars, 2022

schedule 12:45 - 10 Mars, 2022

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, para se të fillojë vizitën e saj zyrtare në tri vendet e Ballkanit Perëndimor, ka folur për rajonin, duke thënë se shumica e vendeve të këtij rajoni janë neglizhuar nga Bashkimi Evropian.

“Duhet ta themi sinqerisht, shumë prej këtyre vendeve i kemi zhgënjyer dhe i kemi lënë pas dore vitet e fundit”, ka thënë Baerbock, në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Ajo tha se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës tregon qartë se Evropa duhet të jetë e përgatitur të investojë strategjikisht në sigurinë e saj afatgjate, duke shtuar se kjo vlen sidomos për marrëdhëniet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Paqja e sotme në Ballkanin Perëndimor mund të mos jetë e përsosur – por është e çmuar. Aktorë si Rusia, të cilët nuk kanë interes për një të ardhme europiane dhe nuk i shmangen nxitjes së konflikteve të pazgjidhura, po ecin drejt këtij krahu të hapur”, ka thënë Baerbock.

Shefja e diplomacisë gjermane ka thënë se qëllimi i vizitës së saj në Prishtinë, Sarajevë dhe Beograd është që të dëgjojë kërkesat që kanë qytetarët e këtyre shteteve, si dhe për të qartësuar se “rajonin që gjendet në zemër të Evropës nuk do ta lënë nën ndikimin e Moskës”.

Vizitën ajo do ta bëjë bashkë me emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për pozitën e re e të cilit, tha se tregon që qeveria federale gjermane dëshiron ta emërojë prioritetin politik ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Jam shumë e kënaqur që këtë pozicion të rëndësishëm tash e ka zënë Manuel Sarrazin. E di që zemra e tij rreh për Ballkanin Perëndimor dhe për të ardhmen e tyre evropiane. Ai do të më shoqërojë në udhëtimin tim dhe tani e tutje do të mbajë lidhje intensive dhe të drejtpërdrejta”.

Kryediplomatja gjermane tha se veprimet e marra ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë tregojnë se “Evropa është e vendosur për të kundërshtuar veprimet agresive të presidentit rus”.

“Gjermania ka një interes themelor për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe ekonomikisht të begatë, shtetet e të cilit janë të orientuara drejt Evropës. Ne do të punojmë për ta arritur këtë, në bisedimet e ardhshme politike, si dhe me investime strategjike – veçanërisht në energjitë ripërtërishme”.

Përveçse në vendet e Ballkanit Perëndimor, Baerbock do të udhëtojë edhe për në Moldavi, e cila ditëve të fundit përshpejtoi procedurat për t’u anëtarësuar në BE.

“Si një vend fqinj me Ukrainën, Moldavia po i ndjen më rëndë efektet e luftës së agresionit rus. Në udhëtimin tim, do ta shoh situatën në terren dhe si mund ta mbështesim qeverinë. Nuk do të lejojmë që valët tronditëse të shkaktuara nga Rusia të përhapen në vendet e tjera të Evropës. Moldavia mund të mbështetet në solidaritetin gjerman dhe evropian”.

Ditë më parë, në mbledhjen e jashtëzakonshme të ministrave të jashtëm të NATO-s është përmendur edhe rreziku i përhapjes së konfliktit në vendet e tjera pas atij në Ukrainë, duke u veçuar Bosnje e Hercegovina dhe Gjeorgjia.

Baerbock sot arrin në Kosovë ku në orën 16:30 do të pritet në aeroport nga kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla. Nga ora 17:30, ajo do të pritet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, si dhe një orë më pas do të pritet në Qeveri nga kryeministri Albin Kurti. /Express