Baerbock: “Po kërkojmë zgjidhje pragmatike” për klimën

schedule12:10 - 2 Maj, 2023

schedule 12:10 - 2 Maj, 2023

Përfaqësues nga shumë vende janë takuar në Berlin në kuadër të Dialogut të Petersbergut për Klimën. Annalena Baerbock theksoi se është thelbësore të korrigjohet situata, për të ulur temperaturën 1.5 gradë.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock bëri thirrje në hapje për më shumë përpjekje në luftën kundër ndryshimeve klimatike në hapjen e Dialogu i Petersbergut për Klimën në Berlin. Të gjithë pjesëmarrësit e dinë se nuk po bëhet mjaftueshëm për të trajtuar krizën klimatike, tha politikania e të Gjelbërve.  Dialogu i Petersbergut për Klimën mbledh përfaqësues nga 40 vende.

Baerbocku theksoi se Dialogu i Petersbergut për Klimën është një takim pune ku kërkohen zgjidhje pragmatike. Këtë herë do të bëhet fjalë konkretisht për fushën e energjive të ripërtëritshme. Ministrja Baerbock përmendi Kenian si model. Nëse burimet e energjisë zhvillohen masivisht si atje – në mbarë botën, por veçanërisht në vendet afrikane – objektivi i uljes së temperaturës globale me 1.5 gradë ende mund të arrihet.

Timmermanns: nevojiten angazhime financiare për vendet më të varfra

Nënkryetari i Komisionit Evropian Franz Timmermans beson se nevojiten masa ambicioze për të reduktuar gazrat e efektit serrë. Duhet të sigurohet, nëpërmjet negociatave, që vendet e mëdha të industrializuara si Kina apo India të fillojnë të reduktojnë ndjeshëm emetimet e tyre të CO2, tha Timmermans për televizionin gjerman ZDF. Përndryshe, objektivat klimatike nuk mund të arrihen. Për vendet më të varfra duhet të bëhen edhe zotime konkrete financiare, në mënyrë që ato të përballen me transformimin e industrive të tyre, theksoi Timmermans.

Përgatitje për Konferencën Botërore të Klimës në Dubai

Që nga viti 2010, Dialogu i Petersbergut për Klimën bashkon çdo vit një numër vendesh për t’u përgatitur për Konferencën vjetore Botërore të Klimës. Konferenca botërore për klimën këtë vit do të mbahet për dy javë nga fundi i nëntorit në Emiratin e Dubait. Emiratet janë ndër dhjetë prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë.

Objektivi aktual i kufizimit të ngrohjes globale me 1.5 gradë mbi nivelet paraindustriale shihet si gjithnjë e më jorealist duke pasur parasysh përpjekjet e bëra deri tani për të mbrojtur klimën. Raporti i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) sugjeron se temperatura mesatare globale ka të ngjarë të mbetet shumë mbi vlerën maksimale të synuar prej 1.5 gradë për një kohë të gjatë, përpara se të mund të bjerë përsëri – por vetëm nëse vendet zbatojnë menjëherë dhe pa vonesë masa dukshëm më të rrepta për mbrojtjen e klimës se ato të marra deri tani.

Dialogu i Petersbergut për Klimën e ka marrë emrin nga konferenca e parë e tij, që u zhvillua në Petersberg pranë Bonn-it./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!