Nga një sipërmarrëse në një pastore. Kjo është historia e Alketa Auer, e cila dha këtë të hënë një intervistë për emisionin “ABC-ja e mëngjesit”, ku tregoi të gjithë historinë e jetës së saj. Alketa tregoi se në fillim praktikonte fenë myslimane por u bë katolike në një periudhë të vështirë të jetës së saj.
Ajo tha se para shumë vitesh kaloi në depresion për shkak se partneri e la ditën e fejesës. Kjo shkaktoi një traumë të madhe tek prindërit e saj, veçanërisht tek i ati, pasi nuk mund të pranonte opinionin e njerëzve të fshatit. Në këtë kohë të vështirë të jetës së saj, ajo nisi të mësonte për fenë e krishterë nga një mikeshë.
“Zoti më ka marrë në një fazë depresioni. Në këtë fazë më ka gjetur zoti, isha mësuese në Slabinjë të Pogradecit dhe në atë fazë më vdiq babi. Vdiq i zhgënjyer nga mua. Kishte ndodhur diçka që ishte shumë i zhgënjyer me mua. Kisha shtruar tryezën e fejesës dhe ai që do të fejohej më la në mes të fejesës. Kishim disa vite në shkollë të lartë bashkë. Flasim para 30 vitesh dhe për familjen time ishte një gjë shumë e madhe. Babi pësoi një shok të madh nga opinioni dhe gjithë fshati thoshte se e turpërove familjen. Kalova në një depresion të thellë. Në këtë gjendje fillova punë mësuese dhe atje takova një vajzë të bekuar, e cila më foli për Jezu Krishtin. Unë isha myslimane, isha praktikante por trishtimi brenda meje vetëm rritej. Kështu fillova mësuese atje dhe kjo vajzë pati shumë durim me mua. Më foli për Jezu Krishtin që më donte.“, theksoi ajo.
Alketa tregon se u largua në Gjermani ku është edhe njohur me partnerin e saj. Në fillim merrej me një supermarket italian por më pas nisi të bëhej një pastore.
“Kisha restorant, supermarket, kafe. Ishte një kat shumë i madh. Unë fillova thjesht me lutjet aty, njerëzit po shëroheshin dhe çliroheshin. Unë kisha supermarketin dhe fillova të lutesha me punëtorët. Lutesha në mëngjes dhe darkë, punëtorët mblidheshin me mua. Falenderoja Zotin për gjithçka. E mbylla supermarketin kur linda djalin. Këta njerëzit filluan të vinin në shtëpinë time, kështu filloi kisha.”, tha ajo./abcnews.al