Publikohet historia e panjohur e Ferhat Thaçit, me origjinë nga qyteti i Gjakovës, i cili pasi mbeti jetim që në moshë fare të vogël kur i ati i tij, Hulusi Thaçi, një patriot i njohur, u vra nga Ceno Beg Kryeziu në vitin 1924, me ndihmën e xhaxhait të tij, Muharrem Thaçit që ishte Kryetar i Komunës së Krumës, Ferhati erdhi në Shqipëri në vitin 1937, ku me një bursë nga qeveria e Monarkisë së Zogut, u diplomua në Shkollën Bujqësore Amerikane të Golemit të Kavajës.
Njohja e Ferhatit me Nako Spiron në rrethin e Durrësit, ku ai e angazhoi fillimisht në Rininë Antifashiste e më pas me Rininë Komuniste, nga ku Ferhati shkoi në vendlindjen e tij në Gjakovë, ku u lidh ngushtë me Emin Durakun, duke u bërë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij dhe më pas në çetën partizane të Kosovës, të komanduar nga Fadil Hoxha, ku shtëpia e tij në Gjakovë u bë një nga bazat kryesore të ilegalëve dhe si rezultat, ai u arrestua nga forcat gjermane dhe u torturua barbarisht prej tyre. Kthimi i Ferhatit në Shqipëri menjëherë pas mbarimit të Luftës, ku ai u takua me dy vëllezërit e tij, Hilmiun, që punonte në Ministrinë e Kulturës dhe Qemalin, që ishte kthyer nga studimet në Bashkimin Sovjetik, si ushtarak me gradën e togerit, të cilët e ndihmuan që ai të stabilizohej me punë në Ministrinë e Bujqësisë dhe Pyjeve, deri sa në vitin 1949, ai u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, i u akuzuar si pjestar i “Grupit të Rezistencës”, dhe vdiq nën tortura në burgun e Kalasë së Gjirokastrës në vitin 1950. Peripecitë e shumta të Spartak Thaçit, të birit të Ferhatit, i cili u rrit në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë, Durrës dhe Tiranë, i cili pasi mundi që të gjente nënën e tij kur ishte në moshën 14 vjeçare, pas 48 vitesh, arriti të gjente edhe eshtrat e babait të tij!
“Deri në moshën 14-vjeçare që unë u rrita nëpër Jetimoret e Vlorës, Durrësit dhe Tiranës, nuk dija asgjë se kush ishin prindërit e mi dhe atë gjë munda ta mësoja vetëm kur njëri nga dajat e mi, Skënder Guranjaku, erdhi dhe më morri në Jetimoren e Durrësit dhe më dërgoi në Elbasan në shtëpinë e nënës sime, Emine Guranjaku, e cila ishte martuar dhe kishte edhe tre fëmijë të tjerë. Ndërsa aty njoha dhe u takova për herë të parë me nënën time dhe mësova se kush ishte ajo, për babanë tim, nuk mund atë mësoja asgjë, gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës. Të vërtetën rreth babait tim, e morra vesh vetëm pas viteve ’90-të, kur pas shumë interesimeve, tek disa bashkëvuajtës të tij, të cilët më treguan se si dhe ku kishte vdekur ai.
“Kështu dëshmon për herë të parë për Memorie.al, Spartak Thaçi, i cili rrëfen të gjithë historinë e dhimbshme të jetës së tij, se si u rrit në Jetimoret e Vlorës, Durrësit dhe Tiranës, si dhe peripecitë e pafundme për gjetjen e eshtrave të babait të tij, Ferhat Thaçit, ish-partizan që vdiq nën tortura në burgun e Kalasë së Gjirokastrës në vitin 1953.
Cila ishte e kaluara e Ferhat Thaçit, pse u arrestua ai dhe si vdiq nën torturat e Sigurimit të Shtetit në Kalanë e Gjirokastrës?
Ferhat Thaçi, jetimi që gjeti nënën pas 14 vitesh!
Pasi kishte mbetur jetim që në moshën dy vjeçare, Spartak Thaçi ishte rritur Jetimoreve të Vlorës, Durrësit dhe Tiranës, duke shpresuar se një ditë do të takohej me nënën e tij, pasi njëra nga mësueset e shkollës fillore, i kishte treguar se ajo ishte gjallë. Kjo gjë u bë e mundur në vitin 1964, gjë të cilën Spartaku e kujton edhe sot me lot në sy, duke u shprehur: “Në atë kohë isha në Jetimoren e Durrësit dhe dikush më njoftoi se më kërkonte një person që quhej Skënder Guranjaku, i cili m’u prezantua si vëllai i nënës sime. Ai, pasi kishte folur me Drejtorinë e Jetimores, më tha që të fusja në këllëfin e jastëkut të gjitha ndërresat që kisha dhe porsa i bëra gati ato me shpejtësi rrufe, dola menjëherë nga Jetimorja dhe ai më morri me vete, duke më dërguar në qytetin e Elbasanit. Kur mbërritëm atje, ai më dërgoi në një shtëpi e cila ishte e nënës sime, Emine Guranjaku, që ishte motra e shkrimtarit të njohur, Qamil Guranjaku. Aty u njoha dhe u takova për herë të parë me nënën time, e cila ishte e rimartuar dhe kishte lindur edhe tre fëmijë të tjerë. Sapo u takova me nënën time, njerku im, i tha dajës, Skënderit: “Këtë djalë, unë nuk do ta ndajë kurrë nga tre fëmijët që kam”. Pas kësaj, unë dëgjoja bisedat që bënte nëna ime me burrin e saj dhe për të mos future ngatërresa në mes tyre, e thirra dajën dhe i thashë që të më merrte me vete në Tiranë. Ai pranoi dhe kur isha duke shkuar te stacioni i trenit me të dhe me nënën time, gjeta rastin dhe e pyeta atë: “Nënë, mire se bashkë u njohëm, po më trego se kush është babai im”? Po nëna heshti dhe më tha që të mos flisja më për këtë gjë dhe aty u ndamë. Ndërsa unë hipa në tren dhe erdha në Tiranë ku për gjashtë juaj qëndrova në shtëpinë e dajës, i cili ishte inxhinier gjeolog dhe më morri e më futi në punë duke më stabilizuar në ndërmarrjen e tij me sondat”, kujton Spartak Thaçi, njohjen me nënën e tij pas 14 vitesh.
Si e mësoi emrin e të atit?
Ndërsa ishte njohur për herë të parë me nënën e tij kur ishte në moshën 14 vjeçare, për babanë e tij Spartaku nuk mundi që të mësonte dot asgjë deri në fillimin e viteve ’90-të, kur sapo ishte shembur regjimi komunist i Enver Hoxhës. Lidhur me këtë, ai tregon: “Për vetë kohën dhe kushtet që ishin atëherë, nëna nuk më tregoi kurrë asnjë fjalë, jo vetëm se kush ishte babai im, por as emrin e tij. Atë unë mund ata mësoj vetëm pas viteve ’90-të, duke u interesuar me miq e shokë dhe duke kërkuar dokumente në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga dokumentet që gjeta aty, mësova se babai im, quhej Ferhat Thaçi dhe ai ishte arrestuar në vitin 1950, duke u akuzuar si pjesmarrës në organizatën “Grupi i Rezistencës”. Nuk mund t’ju them asnjë gjë, nëse vërtet babai im, Ferhati, ka qenë pjesmarrës i asaj organizate, apo ajo gjë ka qenë thjesht një akuzë e sajuar nga ana e Sigurimit të Shtetit, siç ndodhte në atë kohë, por në akt-akuzën që unë kam marrë nga arkivi, thuhet: “Ferhat Thaçi, i biri i Hulusiut dhe i Havasë, lindur në vitin 1921 në Kosovë, Jugosllavi, me vendimin nr. 141, dt. 9. VII. 1952, të Gjykatës së Lartë Ushtarake, është dënuar me dhjetë vite privim lirije, se ka pranuar të bëjë pjesë në organizatën ‘Grupi i Rezistencës’, ka agjituar dhe ka propaganduar kundër pushtetit, ka bërë përpjekje për të zgjeruar grupin me element të rinj, ka bërë përpjekje për t’u arratisur në Jugosllavi”. Pas kësaj, unë u interesova dhe gjeta tre persona që kishin qenë në burg me babanë tim, në Kalanë e Gjirokastrës, të cilët ishin: Nazif Selimja, Diell Cami dhe Ali Muharrem Alla. Ata më treguan se babai im, Ferhati, kishte vdekur nën torturat dhe një ditë para vdekjes, sikur ta parandjente fundin e tij tragjik, ai u ishte shprehur atyre, duke u thënë: “Për shkak të genocidit serb, lashë vendlindjen time në Gjakovë dhe erdha në Shqipëri që në vitin 1935. Por atëherë, nuk do më kishte shkuar kurrë ndërmend, se këtu në atdheun tim, për të cilin morra pjesë në luftë me armë në dorë, e kisha thurrur aq ëndrra të bukura, do të më rezervonin një fund të tillë, duke më mbyllur në këto qeli të errëta, pa bërë asjnë faj…”, kujton Spartaku, fjalët e fundit të babait, të mësuara nga shokët e tij, bashkëvujatës në burgun e Kalasë së Gjirokastrës.
Gjen eshtrat e të atit pas 43 vjetësh!
Pasi Spartak Thaçi mësoi se kush kishte qenë babai i tij dhe sesi kishte ndërruar jetë në burgun e Kalasë së Gjirokastrës, ai nisi të interesohej për të gjetur eshtrat e tij. Në vitin 1994, kur vazhdoja të punoja ende me gjeologjinë, më dërguan me shërbim në Gjirokastër, ku bënim shpime për forcimin e mureve të kalasë. Aty takova një njeri që kishte punuar në Sigurimin e Shtetit, i cili nga biseda që i bëra në fillim, u tremb pak, por kur kuptoi se isha njeri paqësor, më premtoi se do të më ndihmonte, duke më dhënë disa emra, të cilët në fakt nuk më treguan asnjë gjë. Unë u ktheva përsëri tek ai njeri, i cili më orientoi që të takoja ‘varmihësi’ që kishin shërbyer në burgun e Kalasë. Nga katër persona, vetëm njëri prej tyre jetonte ende dhe quhej, Maliq Çingi, të cilit i vajta në shtëpi dhe i tregova se kush isha e çfarë kërkoja. Ai pranoi se kishte punuar si ‘varmihës’ tek burgu i Kalasë dhe kur unë i nxorra fotografinë e babait, ai më tha: “Po, këtë njeri e kam varrosur me duart e mija dhe varrimi i tij është bërë në fshehtësinë më të madhe, në varrezat civile të qytetit të Gjirokastrës dhe tek koka i kam vënë një llamarinë 20 cm. me 50 cm. Pas kësaj, ne shkuam te varrezat dhe kur nisëm të gërmonim, aty na erdhën dy gra dhe na pyetën se çfarë po bënim! Pasi ne i treguam, ato na thanë se kishin librin e regjistrit të varrezave që kishte edhe emrin e babait tim dhe vendin e varrimit. Kjo gjë bëri të mundur që ne ta gjenim shpejt vend varrimin dhe eshtrat e babait tim, Ferhatit”, e përfundon rrëfimin e tij, Spartak Thaçi, lidhur me përpjekjet e tij për gjetjen e eshtrave të babait.
Autobiografia e Ferhat Thaçit e shkuar në burgun e Kalasë së Gjirokastrës
Biografia e Ferhat Thaçit që nga origjina e familjes dhe deri ditën që ai u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, është e shkruar nga vetë ai gjatë kohës që ishte në hetuesi dhe origjinali i saj të cilën po e publikojmë në këtë shkrim, ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në atë autobiografi, thuhet:
“Unë rrjedh nga një familje patriotike dhe kam lindur më 6 prill të vitit 1921 në qytetin e Gjakovës në Kosovë, prej nga është dhe origjina jonë. Babai im, Hulusi Thaçi, që ka qenë një patriot, u vra në vitin 1924, nga Ceno Beg Kryeziu. Mbas vdekjes së babait, ne jemi rritur jetim me vuajtje të mëdha dhe unë me dy vëllezërit e tjerë e me nanën tonë, mbetem në Gjakovë. Në vitin 1931, vëllai i madh, Hilmi Thaçi, me lejen e mamasë, erdhi në Shqipëri për të bërë shkollën shqipe dhe pas tij në vitin 1932, me përkrahjen e ndihmën e xhaxhait, Muharrem Thaçit, që ishte Kryetar i Komunës së Krumës, erdha dhe unë, e me ndihmën e mikut të tij, Hil Mosit, arrita të marrë një bursë si konviktor në Shkollën e Krumës. Në vitin 1937 mbarova shkollën fillore në Krumë dhe po atë vit e humba bursën për shkak të nënshtetësisë jugosllave që mbaja. Pasi qëndrova një vit duke punuar si shërbëtor, në fundin e vitit 1938, fitova një bursë shtetërore për në Shkollën Bujqësore të Golemit të Kavajës, me interesimin e vëllait të madh, Hilmi Thaçit, i cili e kishte mbaruar këtë shkollë që në vitin 1937. Atje kam pasur si drejtor një amerikan. Duke qenë në shkollën e Kavajës, jam organizuar nga shoku Nako Spiro, në Rininë Antifashiste dhe më vonë në Rininë Komuniste. Gjatë periudhës që isha në atë shkollë, kam qenë njëri nga organizatorët kryesore të grevës që bëmë ne nxënësit kundër disa profesorëve italianë. Në qershorin e vitit 1942, mbarova shkollën dhe shkova në Gjakovë, ku rashë në lidhje me Emin Durakun, duke u bërë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, i cili më organizoi në punët e rinisë dhe më vonë u pranova në rradhët e Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Më 12 nëntor të vitit 1942, dolëm në ilegalitet dhe kam qëndruar në çetën e Kosovës me komandant Fadil Hoxhën, deri në qershorin e vitit 1943. Gjatë asaj periudhe kohe, shtëpia ime në Gjakovë u bë çerdhe ilegalësh dhe vend mbledhjesh e aktivitetesh të tjera, të pandërprera. Gjithashtu gjatë kohës që isha partizan në vitet 1942 – ’43, kam formuar Këshillat Nac – Çlirimtare në fshatrat e Gjakovës dhe Pejës në kondita shumë të vështira në atë kohë, plot vuajtje dhe sakrifica, deri sa më zunë rob më 28 qershor 1943.
Gjatë kohës që u mbajta i arrestuar në Kuesturën e Prizrenit, jam torturuar barbarisht, madje dy herë më kanë vënë në korrent, ku si rrjedhim më shkatërruan nervat dhe dobësuan zemrën. Nga Kuestura e Prizrenit më dërguan në Burgun e Tiranës, ku kam qëndruar deri në kapitullimin e Italisë. Aty, për shkak të disa pikpamjeve të mija për çështjen e Kosovës, rashë në kundërshtim me disa nga shokët e tjerë dhe u tërhoqa nga rradhët e Partisë. Pas kapitullimit të Italisë, shkova përsëri në Kosovë ku u morra me punët e Agjit – Propit të Partisë në Gjakovë. Pas çlirimit të Gjakovës, kam punuar përsëri në Agjit – Prop. Dhe gjithnjë kam qëndruar i fortë duke mos pranuar që të bëhem vegël e Jugosllavisë. Këtu ndenja deri më 5 shkurt të vitit 1945 dhe pastaj erdha në Shqipëri, ku qëndrova disa ditë në Tiranë pa punë, pranë vëllait tim, Hilmi Thaçit, i cili në atë kohë qëndronte pranë Ministrisë së Kulturës. Pas disa kohësh, zura punë pranë Ministrisë së Buqësisë dhe Pyjeve, si ndihmës agronom dhe u dërgova me shërbim në rrethin e Gostimës dhe më vonë në Kavajë. Në maj 1947, u thirra nën armë në Repartin 309, ku qëndrova deri në janar 1948, kohë të cilën u transferova në Batalionin e Displinës në Cërrik të Elbasanit. Mbasi isha i mërzitur nga jeta ushtarake për shkaqe familjare, mërzitësia ime u interpretua si pakënaqësi. Por pas disa kohësh, me interesimin e vëllait tim, Qemal Thaçit, që asokohe ishte toger në ‘Repartin 65’ në Korçë dhe sapo ishte kthyer nga Bashkimi Sovjetik, u dërgova në ‘Repartin 701’ në Tiranë, ku u sëmura dhe më 14 korrik 1948 u shtrova në spital. Atje qëndrova deri më 29 shtator 1948 dhe pas tre muajsh leje shëndeti, u lirova nga ushtria në janar 1949. Në shkurt 1949, zura punë në Drejtorinë e Fermave në Ministrinë e Bujqësisë, ku unë kam qëndruar deri më 1 maj 1949. Në këtë kohë dhashë dorheqjen nga puna dhe pastaj zura punë në Fermën “Partizani” të Tetovës, ku qëndrova deri në korrik 1949 dhe në atë kohë u pushova nga puna, pas grindjeve që pata me drejtorin e Fermës. Që nga ajo kohë e deri sa u arrestova, kam qëndruar pa punë në Mamurras, që ndodhet në afërsi të Tiranës. Jam martuar me motrën e Qamil Guranjakut, e cila ka qenë partizane dhe është antare Partie”/ Memorie.al