Azia “përvëlohet” nga temperaturat rekord të të gjitha kohërave

schedule10:30 - 28 Prill, 2023

schedule 10:30 - 28 Prill, 2023

Për javë të tëra, Azia po përjeton valë të nxehtit, duke çuar në mbylljen e shkollave dhe rritjen e përdorimit të energjisë për shkak të temperaturave të larta. Temperaturat rekord u regjistruan në Tajlandë, Myanmar, Laos, Vietnam dhe në të gjithë Kinën dhe Azinë Jugore.

Të martën, termometri shënoi një temperaturë rekord prej 43 gradë Celsius në Theinzayet, në lindje të Mianmarit. Një ditë më vonë, temperatura në Bago arriti në 42.2 gradë, një vlerë rekord në historinë e vendit.

Fundjavën e kaluar, autoritetet në Tajlandë këshilluan qytetarët të qëndrojnë në shtëpi për të shmangur rrezikun. Temperatura arriti në 42 gradë në Bangkok.

Vala e të nxehtit çoi në konsumin rekord të energjisë elektrike, duke arritur kulmin më 6 prill me Tajlandën që konsumoi 39,000 megavat orë – 7,000 më shumë se rekordi i vitit të kaluar.

Në Filipine, qindra shkolla kanë vendosur të vazhdojnë mësimin online në mënyrë që nxënësit të mos vuajnë ose të rrezikohen nga temperaturat e larta.

Në nivel global, viti 2022 renditet si një nga vitet më të ngrohta të regjistruara, ndërsa tetë vitet e fundit kanë qenë kolektivisht më të ngrohtat e regjistruara nga shkenca.

Besohet se një rikthim i fenomenit El Niño këtë vit do të shkaktojë një rritje të mëtejshme të temperaturave.

“Më të varfërit pritet të vuajnë më shumë. Do të jetë veçanërisht shkatërruese për fermerët, për njerëzit që varen për jetesën e tyre nga bujqësia apo peshkimi”, shpjegon Dr. Fahad Saeed, kreu i Azisë Jugore dhe Lindjes së Mesme në Climate Analytics, një institut i politikave të shkencës klimatike.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!