Azerbajxhani bllokon kamionët me ndihma urgjente ushqimore nga Armenia

schedule12:08 - 28 Korrik, 2023

schedule 12:08 - 28 Korrik, 2023

Një kolonë prej 19 kamionësh armenë që Jerevani thotë se po transporton ndihma urgjente ushqimore në rajonin separatist të Nagorno-Karabak ka mbetur e bllokuar në një pikë kontrolli në Azerbajxhan më 27 dhe 28 korrik pasi autoritetet azerbajxhane refuzojnë ta lejonte hyrjen e saj përmes korridorit të Laçinit.

Korridori i Laçinit është e vetmja rrugë që lidh Armeninë me Nagorno-Karabakun dhe ai është bllokuar nga Baku për më shumë se shtatë muaj.

Qeveria armene tha më 25 korrik se do të përpiqet të dërgojë 360 tonë miell, vaj gatimi, sheqer dhe ushqime të tjera bazë në Nagorno-Karabak për të zbutur krizën ushqimore atje të shkaktuar nga bllokada.

Zyrtarët armenë shprehën shpresën se paqeruajtësit rusë do të ndihmonin në lehtësimin e kësaj krize.

Por, Vardan Sargsyan, një përfaqësues i separatistëve të Nagorno-Karabakut, u tha mediave në orët e vona të 27 korrikut se nuk është bërë asnjë përparim dhe se pala ruse nuk i është përgjigjur ende kërkesës.

Kamionët arritën në hyrjen e korridorit të Laçinit vonë më 26 korrik, por mbetën të bllokuar atje në orët në vijim, pasi që Baku refuzoi t’i linte ata të kalojnë përmes një pike kontrolli të vendosur atje në prill.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit e cilësoi dërgimin e kamionëve si një “provokim” dhe tha se ishte një sulm ndaj integritetit territorial të Azerbajxhanit.

Kryeministri armen, Nikol Pashinian, mbrojti tentativën për dërgimin e ndihmave humanitare.

“Ne nuk mund të mbyllim një sy ndaj situatës me të cilën po përballen aktualisht armenët e Nagorno-Karabakut”, shkroi Pashinian në Twitter. “360 tonët ushqime të dërguara në Nagorno-Karabak kanë ekskluzivisht qëllime humanitare”.

Azerbajxhani në fillim të këtij muaji pezulloi trafikun përmes një postblloku në korridor, pasi tha se “lloje të ndryshme kontrabande” ishin zbuluar në automjetet e Kryqit të Kuq që vinin nga Armenia.

Pezullimi i trafikut rriti shqetësimet për një krizë humanitare në Nagorno-Karabak.

Si Armenia, ashtu edhe autoritetet separatiste në këtë zonë kanë thënë se Azerbajxhani ka bllokuar territorin që nga dhjetori, duke rezultuar në mungesë ushqimesh, ilaçesh dhe energjie.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar dy luftëra për Nagorno-Karabak, një enklavë malore e populluar kryesisht nga armenët, e cila njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit. Lufta më e fundit zgjati gjashtë javë në fund të vitit 2020 dhe la 7.000 ushtarë nga të dyja palët të vrarë.

Si rezultat i luftës, Azerbajxhani rifitoi kontrollin mbi një pjesë të Nagorno-Karabakut dhe disa zona përreth. Lufta përfundoi me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia, sipas të cilës Moska vendosi rreth 2.000 trupa për të shërbyer si paqeruajtës./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!