Azdren Llullaku, mund të jetë përforcimi i madh i Partizanit

schedule22:00 - 23 Qershor, 2019

schedule 22:00 - 23 Qershor, 2019

Partizani mund të afrojë në radhët e veta një sulmues që ka luajtur me kombëtaren. Pasi nuk ia doli me Bekim Balajn, kampionia e Shqipërisë synon Azdren Llullakun.

Është kohë dasmash, por edhe futbolli të rëndësishëm.

Azdren Llullaku i dha fund jetës si i vetëm, duke vënë kurorë me të dashurën e tij, Roksana Gabriela Dan, ndërsa duket se kërkon një tjetër aventurë si profesionist.

Pasi i dha fund marrëveshjes me klubin rumun Astra Xhurxhu, sulmuesi që ka luajtur 6 ndeshje për kombëtaren shqiptare, është në kontakte me Partizanin, për të luajtur në kupat e Evropës.

Në moshën 31-vjeçare, ai dëshiron të vazhdojë karrierën në nivele të larta, dhe dëshira më e madhe e momentit është që të luajë në Champions, diçka që mund ta bëjë me Partizanin.

Shqiptari i Kosovës, i lindur në Istog, pohon se nuk ka pasur bisedime me drejtuesit e kampiones së Shqipërisë, por këto bisedime janë kryer nga agjenti i tij.

Fillimisht, Partizani mendoi të merrte Bekim Balajn, që i dha fund karrierës në Premier Ligën e Rusisë tek Ahmat Grozni, por kjo gjë nuk u bë realitet, ndaj nisi të mendonte për Llullakun.

Sulmuesi me përvojë ka një karrierë të gjatë, në të cilën ka luajtur në Itali, Rumani e Kazakistan, duke spikatur sidomos në elitën e futbollit rumun me skuadra të tilla si Gaz Metan Mediash apo Astra Xhurxhu./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!