Avokati i Selim Çekajt: Nuk mund t’ia vësh gishtin një plaku me 100 sëmundje që nuk di as gjuhë të huaj

schedule15:45 - 2 Prill, 2021

schedule 15:45 - 2 Prill, 2021

Avokati i Selim Çekajt, Neshat Fana e ka quajtur skandaloz vendimin e gjykatës për të lënë në burg klientin e tij. Ai tha se Selim Çekaj është një njeri i nderuar me 100 sëmundje që nuk di as gjuhë të huaj dhe as kompjuter dhe në këtë mënyrë sipas tij, nuk mund të lidhej me trafikantët e huaj. Sipas tij ky është një skenar i stisur nga mafia ndërkombëtare për t’ia hedhur fajin një kompanie të pambrojtur.

“Vendimi i padrejtë dhe i paligjshëm. Mes Selim Çekajt dhe kompanisë nga Ekuadori ka një kontratë e cila në mënyrë eksplicite shkruan se përgjegjësinë për kontejnerin nga Ekuadori deri në magazinë e mban shitësi. Pronari ose blerësi ka të drejtë ta hapë kontejnerin vetëm në momentin kur futet në magazinë. Nuk ka asnjë provë që ai të jetë marrë me atë porosi.

Njeri i nderuar gjithë jetën, mësues ka qenë. Nuk di as anglisht, as spanjisht, as kompjuter. Si u lidh ai me trafikantët. Ai mall ka rreth dy muaj që vërtitet nga Ekuadori, në Marok, në Greqi port më port. Iu kontrollua magazina ndërkohë që në port u deshën pajisje për ta hapur. Ndërkohë që kur u kontrollua magazina nuk u gjet asnjë mjet që mund ta hapë atë kontejner.

Këta janë gjyqtarë pa dinjitet profesional. Nuk mund t’i vësh gishtin një plaku të tillë me 100 sëmundje. Është një vendim skandaloz. Jemi të bindur që ky është aktivitet që luhet diku tjetër. Është piketuar një kompani e pambrojtur nga mafia ndërkombëtare për t’i hapur rrugën ndoshta sasive të tjera që mund të vijnë nga kompani të tjera”, deklaroi avokati./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!