Avokati i Gëllçit: Prokuroria dështoi, padrejtësisht në burg

schedule15:36 - 6 Shkurt, 2022

schedule 15:36 - 6 Shkurt, 2022

Nga Ermal Vija

Kur kanë kaluar katër muaj nga arrestimi  I  ish-drejtorit  të   Radio Televizionit Shqiptar Thoma Gëllçi, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, hetimet ndaj tij po kryhen nën masën e arrestit në burg. Për avokatin, Dorian Matlia, klienti i  tij nuk ka kryer asnjë shkelje në lidhje me tenderin e dhënë për Rtsh Agro dhe  po mbahet në qeli vetëm  për mos dështuar Prokuroria e Posaçme.

“Arsyeja e vetme është sepse SPAK nuk po pranon të dështojë, publikisht. Çështja është mediatizuar. Për të gërmuar të gjejë diçka prokuroria  po kërkon të zgjasë hetimet. Unë besoj që rrethana më e mirë që prokuroria  të dalë pa u lagur, duhet ta transferojë çështjen te prokuroria e Tiranës,  le të dështojnë ata.”

Sipas prokurorisë së Posaçme SPAK, Thoma Gëllçi në kundërshti me ligjin,  ka zgjatur  afatet  e dorëzimit të materialeve  për kompaninë që ka fituar tenderin për kanalin Rtsh Agro, vlera e të cilit shkon në  87 milionë lekë të reja.  Por, sipas Matlisë  edhe kjo akuzë ka rënë.

“Akuza  është përqendruar në një pikë, zgjatja e dorëzimit të mallrava që prokuroria  e ka konsideruar në shkelje të ligjit. Kjo është prova e vetme dhe kryesore. Gjatë hetimit është zbuluar një korrespondencë mes kompanisë fituese që I kishte mallrat dhe me ministrinë e Financave që i ka dhënë mundësi RTSH të kryejë pagesat me këste. Dhe për këtë kjo akuzë nuk vlen  më.

Thoma Gëllçi u arrestua në tetor të vitit të kaluar dhe gjatë kësaj kohë është  marrë vetëm dy herë në pyetje nga prokuroria.

“Deri tani është përballur dy herë, njëherë ka kërkuar dosjen dhe pasi iu vu në dispozicion  ka dhënë deklarimet e veta. Nuk ka pasur rrethanë të tretë”.

Më datë 8 shkurt plotësohet afati  tjetër dy mujor që prokuroria raporton në gjykatë mbi zhvillimin e hetimeve dhe  gjatë seancës pala mbrojtëse do të kërkojë lirimin e Gëllçit.

“Zgjatja e afateve të paraburgimit kaq shumë për shpërdorim detyre,  që gjykohet mbi bazë të dokumentave nuk ka më asnjë justifikim që Thoma Gallçi të mbahet në burg pasi ai nuk ndikon më dot tek hetimet. Pasi kjo ka qenë arsye që ai mbahet në burg me dyshimin se mund të ndikojë të provat”.

Bashkë me Gëllçin u arrestuan dhe tre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave. Ndryshe nga drejtori i tyre, ata akuzohen për shkelje të barazisë në tenderë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!