Në emisionin “360 gradë” në ABC News, ish-drejtori i policisë Arben Hajdarmataj, u shpreh se grupet kriminale shqiptare në Britani, janë në rritje. Ai gjithashtu theksoi se veprojnë në grupe të vogla dhe kjo e bën që ndërhyrja nga ana e policisë të jetë pak më e vështirë.
“Grupet kriminale shqiptare kanë fazat e tyre dhe periudha 20 vjeçare e këtyre grupeve kriminale, normalisht që do të ketë rritje. Mund të thuhet që janë rritur dukshme, por arsyet janë shumë. Grupet kriminale shqiptare, veprojnë kryesisht me bazë fisi dhe janë grupe të vogla. Dhe hyrja e policisë është e vështirë, po ashtu edhe për t’u goditur. Aty veprojnë edhe rregullat e tregut, anglezët kanë dëshirë të pinë hashash dhe shqiptarët e qarkullojnë”, tha Hajdarmataj.
Ndërsa avokati Naim Hasani në një lidhje me “Skype” në emisionin “360 gradë” theksoi se grupet kriminale në Britani dallojnë për nga mënyra se si funksionojnë pasi veprojnë me ‘kodin e nderit’.
“Kam parë shumë shqiptarë në burgje, të dënuar për kultivim të kanabisit dhe tregtim të drogës dhe motivimi kryesor i tyre është një mundësi për t’u pasuruar sa më shpejt. Policia britanike ligji dhe drejtësia është shumë e fortë. Policia ka një taktikë të jashtëzakonshme, pasi i lë të pasurohen dhe më pas u marrin gjithçka kanë. Sa i përket rrezikshmërisë, grupet kriminale kanë një veçanti sepse veprojnë me “kodin e nderit”. Pra është shumë e vështirë të thyesh grupe të tilla. Ka shqiptar që janë dënuar me 22-25 vite burg, por ato janë për menaxhim të grupeve të strukturuara kriminale. Agjencia kombëtare e krimit në Britani, monitoron asgjëson dhe mundohet të çojë përpara drejtësisë kriminelët dhe i kanë të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për t’i vënë përpara drejtësisë”, tha më tej ai.
/abcnews.al/