Avokatët në Tiranë thyejnë bojkotin, jepen 5 masa sigurie

schedule17:42 - 30 Qershor, 2022

schedule 17:42 - 30 Qershor, 2022

Edhe pse sot ishte njoftuar bojkotim I seancave gjyqësore, pesë  procese  për caktim mase sigurie në gjykatën penale të Tiranës janë zhvilluar.

Avokatët kanë marrë  pjesë në seancën e së enjtes duke thyer bojkotin e lajmëruar  një ditë më parë nga dhoma kombëtare e avokatisë për të kundërshtuar hartën e re gjyqësore.

Në seancë kanë marrë  pjesë  disa nga avokatët  e  listës  për mbrojtjen e detyrueshme të caktuar nga gjykata, por edhe avokatë të zgjedhur nga të arrestuarit.

Nga ana tjetër të gjitha proceset për gjyqet e themelit nuk janë zhvilluar. Në mbledhjen e së mërkurës këshilli i dhomës kombëtare të avokatisë vendosi të bojkotojë të gjitha seancat gjyqësore pa afat, ndërsa  masat e sigurisë me  afat 10 ditor, pasi KLGJ shkriu 18 gjykata në vend dhe ky propozim pritet të miratohet nga ministria e drejtësisë dhe ajo e financave.

Në vendimin e djeshëm, dhoma kombëtare e avokatisë njoftoi se do të merren masa disiplinore për avokatët që do të thyejnë bojkotin, por kjo nuk i ka penguar disa prej tyre të ndjekin seancat.

Fillimisht dhoma kombëtare e avokatisë, bojkotoi seancat për katër ditë duke kërkuar nga KLGJ të rishikonte projektin përfundimtar. Më pas seancat iu rikthyen normalitetit, por protesta vazhdoi vetëm në apelin e Korçës, Vlorës, Durrësit, Gjirokastrës e Shkodrës, si dhe rrethe të tjera që do të mbyllen nga harta e re gjyqësore./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!