Mbi 10 persona kanë humbur jetën në Rusi pasi një avion pasagjerësh ka marrë flakë pak momente pasi është ngritur nga pista në aeroportin e Moskës.
Të paktën 13 persona, pasagjerë të një avioni rus kanë humbur jetën të dielën pasi mjeti me të cilin udhëtonin është përfshirë nga flakët teksa ishte në fluturim. Sipas mediave ruse, zjarri ka rënë në pjesën e pasme të avionit, i llojit “Sukhoi Superxhet 100”, duke detyruar pilotin të bëjë një ulje emergjente në aeroportin Sheremetjevo të Moskës. Shumë nga pasagjerët më pas janë larguar duke përdorur daljet e emergjencës që u aktivizuan pasi mjeti preku tokën. Ekipet e shpëtimit kanë konfirmuar për agjencinë e lajmeve “Tass” numrin e viktimave, 13, por kanë shtuar se bilanci mund të rëndohet. Mediat ruse saktësojnë se në avion udhëtonin 78 pasagjerë, ndërkohë që nuk dihet me saktësi numri i anëtarëve të ekuipazhit. Shkaqet e zjarrit nuk dihen ende, por autoritetet vendase kanë deklaruar se kanë hapur një hetim mbi ngjarjen dhe aktualisht po kontrollojnë nëse pilotët kanë shkelur rregullat e sigurisë. Avioni ishte nisur pasditen e së dielës nga Moska me destinacion qytetin e Murmanskut./ABC News Albania 24/7