Avioni i rrëzuar në Vermosh hyri nga Mali i Zi, tentoi të ringrihet disa herë, dy persona ikën me fuoristradë

schedule17:31 - 4 Tetor, 2021

schedule 17:31 - 4 Tetor, 2021

Një avion i përmasave të vogla është rrëzuar paraditen e së hënës në rrethana ende të paqarta, në Vermosh të Malësisë së Madhe pranë kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi.

Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se avioni ka hyrë në hapësirën ajrore të Shqipërisë përmes Malit të Zi dhe se në të gjendeshin dy persona, të cilët nuk kanë pësuar lëndime serioze gjatë rrëzimit.

Avioni ka tentuar disa herë të ringrihet në fluturim, por nuk ka arritur për shkak të dëmtimeve. Po sipas këtyre burimeve, dy personat, që gjendeshin në avion, janë larguar nga vendi i rrëzimit me një makinë fuoristadë, që ka ardhur për t’i marrë ata. Deri tani nuk dihet identiteti dhe as vendndodhja e tyre.

Policia e Shkodrës bëri të ditur përmes një njoftimi zyrtar, se është njoftuar për rrëzimin e avionit në orën 12 e 30 minuta dhe se forca të policisë vendore dhe asaj të kufirit janë nisur drejt vendit të ngjarjes.

Për shkak të mungesës së shenjave identifikuese të avionit dhe largimit nga vend i ngjarjes të personave që gjendeshin në të, dyshimet e para lidhen me një tentative për trafikim të bimëve narkotike përmes ajrit.

Vendi ku është rrëzuar avioni është fare pranë kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi dhe, në këtë zonë, ka pak lëvizje të mjeteve dhe banorëve. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!