Aventura turke, ofertat dhe një batutë për Haaland: Selmani rrëfen vitin perfekt

schedule15:57 - 24 Dhjetor, 2019

schedule 15:57 - 24 Dhjetor, 2019

Gentian Selmani u kthye në një nga portierët më të mirë në Shqipëri me Laçin. Portieri, produkt i Partizanit dhe i aktivizuar fillimisht si profesionist te Kastrioti, spikati me kurbinasit, duke fituar që në debutim Superkupën dhe duke qenë vendimtar me një penallti të pritur. Viti 2019 ka qenë mjaft pozitiv për portierin, i cili në verë u largua drejt Turqisë. Paraqitja e bërë ndaj Hapoel Beer-Sheva bindi Menemenspor t’i ofronte një kontratë dhe për Selmanin me rëndësi ishte të shkonte në një ekip ku do të luante rregullisht. Portieri 21-vjeçar po aktivizohet në ligën e dytë turke dhe ka spikatur.

Kjo ka bërë që të ketë edhe shumë zëra merkatoje, që ai me diplomaci i shmang në intervistën e dhënë për ABC News. Selmani veçon ngjarjet më të rëndësishme të vitit, flet për ecurinë e Menemenspor dhe bën një krahasim të kampionatit atje me Superioren. Gjërat për të nuk kanë qenë të lehta në fillim, por ia ka dalë të përshtatet. Tani po mëson edhe turqishten, ndërkohë që nuk di vetëm të mbrojë portën. Një batutë edhe për Erling Haaland, sulmuesin që Selmani e ka pasur përballë kur ai luante me norvegjezët e Molde.

Gentian, edhe pak ditë dhe viti 2019 do i përkasë të shkuarës. Cilat janë ato ngjarje që të kanë lënë mbresa?
-Besoj se ka qenë një vit pozitiv në aspektin profesional. Momentet më pozitive kanë qenë disa, si pritja e 4 penalltive në sezonin e kaluar dhe pjesëmarrja në Europa League me ekipin e Laçit. Sigurisht transferimi në Turqi te Menemenspor dhe ecuria pozitive që po bëjmë gjatë këtij kampionati me ekipin, duke u renditur në vendin e dytë për momentin, janë gjëra që mbahen mend. Kemi 10 ndeshje që nuk humbasim, si dhe kemi shënuar 13 gola dhe kemi pësuar 6. Të gjitha këto janë momente të rëndësishme të këtij viti.

Jeni transferuar në Turqi te Menemenspor dhe jeni befasia deri më tani, pasi një ekip i ndërtuar në verë dhe që u ngjit në ligën e dytë, renditet i dyti. Si ka mundësi?
-Është e vërtetë që kemi bërë një paraqitje mbresëlënëse deri më tani dhe shpresoj të vazhdojmë kështu. Ekipi është kompakt dhe ka harmoni brenda grupit. Objektivi në fillim të kampionatit ka qenë që të zyrtarizojmë sa më shpejt qëndrimin në këtë ligë, tani shpresoj që të mbajmë këtë ritëm dhe t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të shikojmë nëse mund të arrijmë diçka më shumë.

Selmani, duke ndjekur Laçin në ndeshjen me Kukësin

Si nivel, a mund t’i bëni një krahasim kampionatit ku jeni me Superioren? Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje deri tani?
-Mendoj se niveli ndryshon dhe nis që nga infrastruktura sportive, terrenet e stërvitjes, gjithashtu stadiumet. Sa i takon nivelit të lojës, ekipet luajnë më të hapura dhe ka më shumë ritëm si kampionat.

Për ju është eksperienca e parë jashtë vendit. Sa e vështirë ka qenë të përshtatesh? Gjuha ka qenë pengesë, po mungesa e familjes?
-Nuk është se kam hasur shumë vështirësi, pasi Turqia nuk ka shumë ndryshime nga Shqipëria. Më duhet ta pranoj se mungesa e familjes dhe gjuha kanë qenë pak problem në fillim, sikurse duhet ta përmend që lojtarët dhe stafi kanë qenë shumë mikpritës. Më ka ndihmuar shumë fakti që ekipi ka përkthyes. Personalisht komunikoj gjermanisht dhe anglisht dhe kjo ma ka bërë të lehtë, pasi shumë futbollistë komunikojnë në këto gjuhë. Tani edhe me gjuhen turke po eci mirë.

Haaland, duke festuar golin e shënuar kundër Laçit në Europa League

Si ndiheni për faktin që keni luajtur verën e shkuar kundër Haaland, i cili ju ka shënuar dhe është nga më të kërkuarit në Europë?
-Haland më ka shënuar, por vetëm me penallti. Ndryshe nuk do kishte asnjë shans (qesh). Është një super futbollist për moshën që ka dhe besoj  që po të vazhdojë në këtë formë do të arrij në nivele shumë të larta.

Zërat e merkatos nuk ju kanë lënë të qetë edhe ju. Besiktas, Torino dhe Lecce janë lakuar. Jeni gati për një hap tjetër, më të madh se ai që bëtë në verë?
-Ka  pasur zëra për interesime, por ata punë i takojnë menaxherit , mua më përket vetëm pjesa e fushës. Unë shpresoj, por nuk është se jam shumë i fokusuar te merkato, për momentin duhet të mbaroj këtë sezon në mënyrë të suksesshme.

Santiago (Iliria) dhe Adolf Selmani (Kastrioti)  | Foto: 2Bphoto.al

Edhe tre vëllezërit e tu luajnë futboll. Dy prej tyre madje kanë edhe derbi, pasi janë pjesë e Kastriotit dhe Ilirisë. A i këshillon ata se çfarë duhet të bëjnë?
-Po, është e vërtetë. Njëri luan qendërmbrojtës (Adolfi) te Kastrioti dhe tjetri sulmues (Santiago) tek Iliria. Ata duhet të punojnë fort, duhet të jetojnë vetëm me futbollin që të arrijnë majat. Kjo është këshilla që kam për to. Pastaj futbolli është edhe fat. U uroj vetëm shëndet, sa më pak dëmtime dhe suksese.

Gentian, ju vetë keni arritur çdo gjë falë punës dhe talentit, sigurisht. A keni një mesazh për futbollistët e rinj, tani në prag të festave?
-Këshilla ime është që të punojnë fort për ëndrrat që kanë dhe kurrë mos të dorëzohen, pavarësisht vështirësive që u dalin përpara. Doja të bëja edhe një urim. U uroj të gjithë shqiptareve gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Shpresoj që njerëzit e prekur nga tërmeti ta kalojnë sa më shpejt atë dramë dhe të bëhen më të fortë. Zoti u dhëntë forcë! /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!