“Autostrada për Italinë” kërkon falje: Gati të rindërtojmë urën për 8 muaj

schedule21:18 - 18 Gusht, 2018

schedule 21:18 - 18 Gusht, 2018

Në komunikimin e parë zyrtar që nga rënia e urës Morandi, kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve të Italisë ka kërkuar falje dhe ka deklaruar se është gati ta rindërtojë urën për 8 muaj. Gjithashtu, administratorët e grupit “Autostrada për Italinë” kanë shprehur mbështetje për hetimet e prokurorisë mbi tragjedinë.

Kërkojmë falje! Me këto fjalë ka nisur konferenca e parë për shtyp e përfaqësuesve të kompanisë “Autostrada për Italinë”, 4 ditë nga tragjedia e urës Morandi.

“Kërkoj falje, thellësisht, por më duhet të them se jemi përpjekur gjithmonë të punojmë me përulje, duke u vënë në shërbim të institucioneve për të gjetur zgjidhjet më efikase”, ka deklaruar administratori Xhovani Kasteluçi. Përfaqësuesi i grupit që menaxhon mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore të Italisë ka deklaruar se kompania është e gatshme të japë ndihmë konkrete për rimëkëmbjen e qytetit të Xhenovës dhe për këtë arsye ka hartuar një projekt.

“Projekti mundëson që në 8 muaj të bëhet shembja dhe ngritja e urës së re, që do të jetë prej çeliku”, ka vijuar Kasteluçi, duke shtuar se ndërhyrjet për riparimin e disa akseve rrugore të lidhura me urën Morandi mund të nisin që prej ditës së hënë.

“Gjithashtu, ne duam që e vërteta të zbardhet dhe për këtë do t’i japim çdo mbështetje prokurorisë”, ka theksuar administratori i kompanisë.

Duke nënvizuar se mendimi i krerëve të kompanisë është së pari për familjet e viktimave, Kasteluçi ka bërë me dije se kompania ka lëvruar një fond për to dhe do të bashkërendohet me komunën për shpërndarjen e tij.

Ai ka refuzuar të komentojë deklaratat e krerëve të qeverisë për tërheqjen e koncesionit, duke shtuar se reagimi lidhur me këtë aspekt do të bëhet në një moment të përshtatshëm. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!